Home>>Familja>>Largimi nga rrjetet sociale më ka bërë nënë më të mirë
Familja

Largimi nga rrjetet sociale më ka bërë nënë më të mirë

Hoqa dorë nga rrjetet sociale për të qenë nënë më e mirë. Tani, fëmijët unë dhe fëmijët e mi jemi më të lumtur – dhe më të sigurtë.

Nga Naomi Kaye
Përshtatja: supergrate.net

Prindërimi në kohën e internetit ka anët e veta pozitive dhe ato negative, pa dyshim. Në njërën anë, ke mirësitë e gjetjes së kollajtë të informacioneve, grupeve të prindërve, shkollave dhe aktiviteteve, bisedat me video, etj e madje edhe konsulta me mjekun përmes një videoje të thjeshtë. Kjo ndonjëherë nuk ka çmim. E pastaj, në anën tjetër janë aspektet negative.

Unë kam qenë përdoruese e hershme e Facebook-ut, duke qenë se isha në universitet kur ky i fundit u lansua. I mbaj mend ditët e vjetra kur shkruanim në “muret” e njëri-tjetrit me miqtë. Kur ngela shtatzënë për herë të parë, Facebook-u m’u duk mjaft i dobishëm. Futesha në grupe prindërimi, gjeja këshilla të dobishme, blija gjësende për beben time, e edhe e ndaja me miqtë një pjesë të gëzimit për këtë periudhë të re të jetës sime. Një pjesë e benefiteve kanë qenë shumë praktike, dhe futja në grupe nënash më ka ndihmuar të krijoj miqësi të mira edhe në jetën reale.

Por, kishte edhe një anë të errët, dhe të jem e sinqertë, kjo anë është më e errët sesa shumë prindër ndalen ta mendojnë. Është dëshmuar që rrjetet sociale krijojnë varësi. Unë, saherë që kisha një çast të lirë për të bërë diçka produktive, të dobishme, apo edhe argëtuese, shpesh tundohesha të hyja në rrjetet sociale dhe të përhumbesha në to. Nuk mund ta imagjinoj se sa orë kam humbur gjatë viteve të kaluara.

Për më tepër, rrjetet sociale janë të krijuara për të na bërë ta krahasojmë veten me të tjerët. Nëse përdor çfarëdo rrjeti, kjo është e pashmangshme. Do t’i shohësh dhomat e përkryera të fëmijëve në Instagram apo do t’i dëgjosh prindërit si mburren me zhvillimin e fëmijve të tyre në grupe prindërimi në Facebook, dhe fillon të dyshosh në veten dhe prindërimin tënd. Kjo veçanërisht nëse kalondisa orë brenda ditës në kurthin e rrjeteve sociale. Kur isha në fillimet e mia si nënë, me gjithë emocionet dhe lëndueshmërinë që kjo sjell, e gjeja veten të joshur nga konsumerizmi (Oh, fëmija im duhet patjetër ta ketë këtë lodër) ose duke u ndjerë fajtore për diçka të parëndësishme, madje ndoshta edhe asolutisht normale (kam fjetur bashk me fëmijën tim për gjatë kohë, si duket kjo më bën nënë të keqe).

Megjithatë, arsyeja kryesore pse vendosa të largohem ishte privatësia dhe siguria. Përgjatë viteve të fundit, kohë pas kohe kam marrë mesazhe private nga një i panjohur në internet, dhe ndonjëherë këto mesazhe ishin tejet problematike dhe madje edhe të frikshme. Në një nga grupet e shtatzënisë ku isha, doli që dikush kishte gënjyer se ishte shtatzënë gjatë gjithë kohës duke përdorur fotografi të huaja. M’u mbush mendja se nuk doja fotografi të fëmijëve të mi gjithandej nëpër internet dhe atë pa pëlqimin e fëmijëve. Kush e di. Dikush mund t’i përdorë fotografitë e mia për të ndërtuar një jetë të rreme. Dhe kështu, para ca javësh e çaktivizova llogarinë time në Facebook dhe më nuk jam kthyer.

Nuk më ka munguar për asnjë sekondë. Mendjen e kam të pastër, pa vërshime bizarre të serotoninës nga “like”, pa lexim të komenteve të pahijshme, pa lajme të rreme, pa shpërqendrim, pa grumbuj fotografish të njerëzve që mezi i njoh. Tani mund me të vërtetë të përqendrohem në familjen time të vogël, në punën time, dhe në jetën time të përditshme. Nuk e gjej më veten duke u krahasuar me të tjerët. Nëse dua ta kontaktoj dikë që me të vërtetë më intereson, e marr në telefon. Dhe tani, fotografitë janë thjesht fotografi për familjen, jo për postime në Facebook. Ndoshta do të bëj fotografi të vogla të fëmijëve për t’i mbajtur në kuletë, siç kanë bërë prindërit tanë, që të dukem tamam e çuditshme.

Por kur unë jam nënë më e lumtur, edhe fëmijët e mi janë më të lumtur. Kështu që, lamtumirë rrjete sociale.. kemi kaluar kohra interesante, por nuk mendoj që jemi për njëri-tjetrin./supergrate.net/