Home>>Gra të forta>>Njih një grua që frymëzon: NADIRE LATIFI SELIMI
Gra të forta

Njih një grua që frymëzon: NADIRE LATIFI SELIMI

supergrate.net po realizon intervista me gra të profileve të ndryshme, biseda frymëzuese me zonja që janë shembull me personalitetin, punën, përkushtimin e pasionin e tyre. Në fokus kemi gra personalitetet e të cilave nuk janë ekspozuar më herët në media e rrjete sociale, por jo vetëm. Do të njihemi me gra që kanë gjëra të bukura për të thënë, gra me mendje të bukura e shpirtra të pasur. Qëllimi i këtij projekti është frymëzimi i ndërsjellë, duke u përkujtuar se si gra kemi forcën dhe fuqinë për të realizuar gjëra të mrekullueshme. Ne së supergrate.net falënderojmë të gjitha zonjat e zonjushat që pranuan të na bashkangjiten në këtë rrugëtim. Një falënderim të veçantë për Albulena Murturin për kontributin e saj të madh në realizimin e këtij projekti.

_______________________________________________________

Njih një grua që frymëzon: NADIRE LATIFI SELIMI

  • Nadire Latifi Selimi është e diplomuar në psikologji pranë Universitetit të Shkupit dhe në Gjuhë Angleze pranë Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik. Ka fituar titullin master i politikave publike nga Kolegji Universitar i Londrës. Për momentin punon në organizatën Helvetas, të mbështetur nga qeveria zvicerrane, e në kuadër të së cilës është e përfshirë në projektin për punësim të të rinjëve, personave me aftësi të kufizuara dhe atyre që vijnë nga komunitetet e margjinalizuara, në rolin e specialistes për monitorim dhe matje të rezultateve. Ka punuar edhe në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, si këshilltare në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Westminster Foundation for Democracy, në Qendrën për të drejtat e njeriut dhe zgjidhjen e konflikteve në Shkup, në Qendrën për Dialog “Nansen”,  në projekte të BE-së, UNICEF-it, UEFA-s si dhe në shumë projekte tjera në sferën e shoqërisë civile. Është pjesëmarrëse dhe bashkorganizatore në dhjetra seminare, trajnime e konferenca në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar dhe është fituese e disa çmimeve për kontributin e saj të vyer në shoqëri dhe për arritjet akademike.

 

1. Cila është ëndrra, frika, shpresa dhe pendimi yt më i madh?

Ëndrra ime më e madhe është të ndihmoj aty ku ka nevojë dhe të ofroj mundësi aty ku ka potencial. Shpresa ime më e madhe është të zgjohem një ditë në një shoqëri të zhveshur nga konstruktet destruktive sociale dhe të veshur me vlerat e denja njerëzore. Frika ime më e madhe është vdekja në një kohë që nuk i kam dhënë gjithçka që kam mundur jetës. Pendimi im më i madh është koha që kam humbur derisa kam arritur të dalloj dhe respektoj zërin e vetëdijes sime në mesin e gjithë zërave që më kanë turbulluar ëndrrat, më kanë rënduar vendimet dhe më kanë tronditur vetëbesimin. Gjithsesi, sot ky pendim është shndërruar në një cilësi personale të palëkundshme – mburoja e çeliktë nga çfarëdo fryme që synon kolonializimin e ardhmërive të mia.

2. Si do të doje të të mbanin mend njerëzit?

Si një njeri që ka qenë shembull inspirues dhe motivues për të gjithë ato vajza dhe djem të rinj që pranë udhëkryqit se a të zgjedhin konformizmin social apo ëndrrën personale, kanë vendosur të dytën dhe rrjedhimisht janë vetëaktualizuar dhe kanë arritur të inspirojnë vetaktualizimin edhe tek njerëzit tjerë, mbase të jetosh konformist i parealizuar e përplot frustracione të pashëruara është vetvr-asje për së gjalli. Me fjalë të tjera, dua që njerëzit të më mbajnë mend si një person që ka arritur të shpëtojë shumë njerëz nga këto vetëvr-asje për së gjalli.

3. Si të përshkruajnë njerëzit që të duan? Si të përshkruajnë njerëzit që nuk të duan? 

Njerëzit që më duan më përshkruajnë si e vendosur, e guximshme dhe inteligjente. Njerëzit që nuk më duan, mendoj se do të më kishin përshkruar si mendjemadhe, kokëfortë dhe tip i ftohur.

4. Çfarë duhet të ketë secila grua?

Definitivisht pavarësi në çdo kuptim të fjalës, duke filluar nga pavarsia në vendimmarrje dhe ajo financiare.

5. A mendon se personaliteti i një gruaje shpërfaqet në veshjen e saj? 

Edhe pse parë nga perspektiva semiotike gjithçka e jona flet mbi ne duke përfshirë këtu edhe veshjen, mendoj se do të ishte vendim shumë i nxituar nëqoftëse veshjen e marrim si para-dispozitë për të përshkruar personalitetin e një gruaje apo një burri.

6. Cila është fuqia më e madhe e të qenit grua?

Nuk e di si është të jesh burrë për të ditur se si të qenit grua na bën më të forta apo më të dobëta se ata. Megjithatë, mua ajo që më mahnit te disa gra të forta që njoh, është fuqia e tyre për t’u rimëkëmbur edhe atëherë kur duket se jeta u ka përplasur në fytyrë çdo arye për të bërë të kundërtën. Është kjo një dritë shprese, një forcë regjenerimi sado-kudo psiko-emocional që asgjë nuk mundet ta shuajë.

7. Çfarë mendon për glorifikimin e vetëmohimit të gruas? A është gruaja nga natyra flijuese e vetëmohuese, apo janë rrethanat ato që ia imponojnë këtë?

Nuk mundet të më bindë askush dhe asgjë se gruaja nga vetë natyra është vetëmohuese. Për fat të keq kanë kaluar aq shuuuumë gjenerata që grave u është imponuar ky vetëmohim saqë tani më duket si “natyrë e grave” dhe rrjedhimisht shumë burra e gra këtë natyrë e marrin dhe e zbatojnë si të shtruar. Për mua heroinë e vërtetë është ajo grua që nuk lejon shkrirjen e unit të saj në mesin e “uneve” të rrethit të saj të ngushtë dhe të gjerë, duke mos u shndërruar në të njejtën kohë në një egoiste që ka varrosur empatinë dhe sensin e solidaritetit. Vija ndarëse mes të parës dhe të dytës mund të duket e hollë, por jo e pamundshme. Kur të vijnë në pyetje sakrificat familjare apo shoqërore, çdokush duhet të kontribuojë pa marrë parasysh gjininë.

8. A është lindja dhe rritja e një njeriu puna më e madhe që mund të bëjë një grua? A duhet gratë të definohen me rolin e amësisë?

Nuk mund të them nëse lindja dhe rritja e një njeriu është puna më e madhe që mund të bëjë një grua, por mund të them me plot bindje se çdo grua që ka fatin të bëhet nënë dhe çdo burrë që ka fatin të bëhet baba kanë angazhime shtesë dhe një mision të përbashkët për të rritur fëmijët e tyre në njerëz të mirë. Kjo punë meriton çdo respekt dhe admirim. Nga ana tjetër, të definosh një grua vetëm me rolin e amësisë për mua është sikur të definosh një kopësht me një laramani të hatashme të luleve vetëm përmes aftësisë së këtij kopshti për të kultivuar një lule të vetme. Kjo për mua është ngulfatje e potencialit të gruas. Nëse veç më duam të definojmë gruan apo burrin, të nisemi atëherë nga personaliteti i çdo gruaje dhe burri individualisht. Besoj se femra duhet të çlirohet nga çdo trysje që vjen nga arketipi i amësisë që kemi ndërtuar e stër-ndërtuar ndër shekuj. Fundja nuk është kryekput vendim i një femre apo një mashkulli mundësia për të pasur fëmijë. Përndryshe, a do t’i linim gratë që nuk janë nëna të papranueshme për t’u definuar?

9. “Shtëpia duhet të jetë qendra, por jo kufiri i një gruaje.” Si e komenton këtë thënie?

Nocioni shtëpi është diçka relative. Pastaj, të thuash “qendër” në numrin njëjës është diçka shumë ngulfatëse. Andaj do të thoja se, qendrat e çdo gruaje dhe burri duhet të jenë vendet ku ajo/ ai ndihet në paqë me vetveten dhe me të tjerët. Kufijtë gjithnjë duhet të shtyhen deri aty ku e sfidojmë/nxisim por nuk e dëmtojmë as vetveten e as të tjerët përreth nesh.

10. Një grua nga e kaluara që të frymëzon?

Nëna ime – një grua e fortë, arsimdashëse dhe tifoze e imja e përhershme.

11. Po të ishe fjalë, cila fjalë do të ishe?

Mosdorëzim.

12. Po të ishe një artikull veshjesh, çfarë do të ishe?

Kapelë.

13. Nëse do të duhej të dëgjoje vetëm një këngë gjithë jetën, cilën do ta zgjidhje?

Nuk është se kam ndonjë këngë të veçantë që do ta preferoja.

14. A mendon se shoqëria ka standarde të dyfishta për gratë dhe burrat? Si ballafaqohesh me diskriminimin gjinor?

Definitivisht, PO! Kjo është një e vërtetë që na i nxjerr sytë për çdo ditë. Gjithmonë mundohem të kontribuoj sado-kudo në ngritjen e vetëdijes për ekzistimin e pabazë të këtyre standardeve të dyfishta. Megjithatë, kjo paraqet një detyrë të rëndë për të gjithë ata njerëz që e shohin padrejtësinë që ushtrohet për shkak të këtij dyfishimi dhe që mundohen të njëfishojnë të njejtin, jo sepse nuk munden por sepse momentalsiht janë të paktë në numër.

15. Si e mendon organizimin ideal të jetës në familje dhe shoqëri? A mendon se duhet të ekzistojnë rolet gjinore? Pse?

Tingëllon shumë ngulfatëse dhe racionalisht e pakuptimtë të definosh rolet familjare dhe shoqërore në bazë të gjinisë. Unë do të kisha parapëlqyer rolet praktike në bazë të aftësive/preferencave personale. Për shembull, nëse bashkëshorti ka aftësi për të gatuar, ndërsa bashkëshortja ka aftësi për të menaxhuar financat, do të ishte budallallëk që të zbatojnë të kundërtën vetëm pse “rolet gjinore” si konstrukte sociale ua imponojnë atë.

16. Në cilën periudhë të historisë dhe në cilin vend do të doje të jetoje?

Tash për tash, tani dhe këtu, në të ardhmen kudo që të jem e lumtur dhe e vyeshme.

17. Kush janë hero-inat/njtë e tu/a?

Të gjithë ata që më inspirojnë që të jem më e mirë, më e aftë dhe më e dobishme sesa që jam.

18. Si do ta zgjidhje problemin e urisë në botë?

Duke u ofruar të varfërve të talentuar mundësi dhe mbështetje, ndërsa të varfërve që kanë aftësi të kufizuara të çfarëdo natyre përkrahje të qëndrueshme.

19. Cili trend i momentit do të mund ta sillte fundin e botës siç e njohim?

Inteligjenca artificiale.

20. Si do të dukej bota nëse do ta udhëhiqje ti?

E drejtë, e ngritur mbi meritokraci dhe dashuri.

21. A të mrekullon jeta? Ku e gjen domethënien e saj?

Herë më mrekullon, herë më trishton. Domethënien e saj e gjej, thjeshtë, kudo – në lindjen e diellit, në flladin e lehtë të pranverës, në bekimet e Zotit, në sfidat e jetës, në marrëdhëniet me njerëzit, në meditimet pas mesnatës, në gërmimet drejt dijes, në udhëtimet rreth botës, në kontributet e mia ndaj njerëzimit, në gabimet e mia, frustrimet… Po njëashtu edhe në gjëra parimisht të vogla si kafeja e mëngjesit me bashkëshortin apo çaji i shoqëruar me një bisedë reflektuese me familjen.

22. Si do të doje të vdisje?

E vetë-aktualizuar. Të mbylli sytë për herë të fundit dhe të them “Jetova, e materializova tërë potencialin që pata, e kreva misionin tim në jetë dhe po vdes me ndjesinë e mburrjes për veprat që lashë pas”.

23. Po të kishe super fuqi, çfarë fuqish do të doje?

Të ndaloj shtypjen dhe padrejtësitë që u bëhet të pafuqishmëve kudo në botë, dhe të spastroj pluhurin e mykur të traditave destruktive nga kokët që përndryshe mund të bëjnë çudira.

24. Çfarë është një gjë që ti e beson si të vërtetë, por që pak njerëz e besojnë si të tillë?

Mrekullitë që mund të bëjë dija e korrur qoftë në formë arsimit formal, jo-formal apo in-formal.

25. Si e mendon takimin tënd me Zotin?

Si një mrekulli që për momentin as mendja ka kapacitetin ta parafytyrojë, as gjuha ka potencialin ta përshkruajë./supergrate.net/