Home>>Gra të forta>>Njih një grua që frymëzon: RINA BINXHIU
Gra të forta

Njih një grua që frymëzon: RINA BINXHIU

supergrate.net po realizon intervista me gra të profileve të ndryshme, biseda frymëzuese me zonja që janë shembull me personalitetin, punën, përkushtimin e pasionin e tyre. Në fokus kemi gra personalitetet e të cilave nuk janë ekspozuar më herët në media e rrjete sociale, por jo vetëm. Do të njihemi me gra që kanë gjëra të bukura për të thënë, gra me mendje të bukura e shpirtra të pasur. Qëllimi i këtij projekti është frymëzimi i ndërsjellë, duke u përkujtuar se si gra kemi forcën dhe fuqinë për të realizuar gjëra të mrekullueshme. Ne në supergrate.net falënderojmë të gjitha zonjat e zonjushat që pranuan të na bashkangjiten në këtë rrugëtim. Një falënderim të veçantë për Albulena Murturin për kontributin e saj të madh në realizimin e këtij projekti.

______________________________________________________________________________________

Njih një grua që frymëzon: RINA BINXHIU

Rina Binxhiu është Software Engineer në Dell Computers në Austin,Texas. Ajo ka diplomuar në vitin 2018 me Bachelor të Shkencave në degën Inxhinjeri Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Illinois në Chicago. Tani Rina është kandidate për Master të Shkencave në Inxhinieri Elektrike dhe Kompjuterike. Ajo është anëtare aktive në grupin Society of Women Engineers dhe Women in Action në Dell. Në kohën e lire Rinen e gjeni duke kaluar kohë me familje.

1. Cila është ëndrra, frika, shpresa dhe pendimi yt më i madh?

Ëndërra ime është që vajzat si mbesa ime e vogël të mos ndihen më pak se janë vajza. Shpresoj të jem pjese e ndryshimit për gjeneratën e re, vajzat ta dinë që mund të arrijnë por edhe djemtë ta kuptojnë se vajzat janë po aq të zonjat. Pendimet s’kanë vend për mua, i mendoj gjërat si suksese apo mësime.

2. Si do të doje të të mbanin mend njerëzit?

Njerëzit do të doja të me mbanin mend si një person që s’është ndalur, pa marrë parasysh sa e frikshme mund të ketë qenë.

3. Si të përshkruajnë njerëzit që të duan? Si të përshkruajnë njerëzit që nuk të duan? 

Njerëzit që me duan më përshkruajnë si pozitive, e palodhsme dhe strategjike. Mundohem të rrethohem me njerëzit që ofrojnë energji pozitive, prandaj nuk fokusohem te ata që nuk me duan.

4. Çfarë duhet të ketë secila grua?

Secila grua duhet të ketë mundësinë e zgjedhjes së rrugës së saj në jetë. Qoftë fokusimi në shkollë, ambicja për një karriere të suksesshme, përkushtimi i plote ndaj jetës familjare apo kombinimi i të gjithave, duhet të jete vendim i gruas vetë e jo një imponim nga prindërit, shoqëria apo partneri.

5. A mendon se personaliteti i një gruaje shpërfaqet në veshjen e saj? Nëse po, si?

Veshja për disa është një art, për dikë tjetër është thjeshtë një rutinë e domosdoshme. Veshjen mund ta zgjedhim si një mjet për të shprehur si duam të na shohin të tjerët por asnjëherë nuk duhet të jetë arsye për gjykim.

6. Cila është fuqia më e madhe e të qenit grua?

Fuqia më e madhe e të qenit grua është vendosshmëria. Keni pa gra shqiptare që edhe nëse jeta e detyron të jetë e vetme nënë, baba, e punësuar, kuzhiniere, pastruese e shtëpise, kujdestare për familjarët e tjerë, e shumë role të tjera e nuk ia ka dalur? Të gjithë e njohim të pakten një të tillë. Kur ajo vendos ta arrijë një qëllim nuk ka zë të shoqërisë që pëshpëritë ‘nuk është punë për gra’, ‘nuk di ti je femër’ që e ndal më.

7. Çfarë mendon për glorifikimin e vetëmohimit të gruas? A është gruaja nga natyra flijuese e vetëmohuese, apo janë rrethant ato që ia imponojnë këtë?

Flijimi i gruas ka ardhur si rezultat i rolit që ka pasur në familje, ku ajo është kujdesur për familjen dhe shtëpinë ndërsa burri është kujdesur për anën financiare, dhe jo si natyrë.

8. A është lindja dhe rritja e një njeriu puna më e madhe që mund të bëjë një grua? A duhet gratë të definohen me rolin e amësisë?

Lindja dhe rritja e një njeriu është një punë e madhe për të dy gjinite, jo veçanërisht për gruan. Amësia është një epitet shtesë por nuk e definon tërësisht asnjë femër. Se pari jam Rina. Të qenurit vajzë, mbesë, motër, grua, nënë, janë epitete që na kompletojnë por jo definojnë.

9. “Shtëpia duhet të jetë qendra, por jo kufiri i një gruaje.” Si e komenton këtë thënie?

Për mua shtëpia nuk është as kufiri e as qendra, është rrënja e fortë që në kohë tërmeti të mos shembesh. Shtëpia është baza në të cilën jam rritur dhe në çdo hap më të lartë qëndron vendi ku mbeshtetem në raste që një hap është më i madh e duhet të mbahem diku.

10. Një grua nga e kaluara që të frymëzon?

Nga e kaluara është Grace Hopper e cila është krijuese e programimit. Emri i saj është shembulli më i mirë i femrave në teknologji. Konferenca e Grace Hopper ende është një ndër takimet më të mëdha të femrave në teknologji e shkencë çdo vit.

11. Po të ishe fjalë, cila fjalë do të ishe?

Po te isha fjalë, unë do isha fjala guxo. Guximi për të provuar përkunder frikës është parim për mua.

12. Po të ishe një artikull veshjesh, çfarë do të ishe?

Nëse do isha një artikull veshje do isha syze dielli. Është diçka që e mbaj me vete nga vera deri në dimër.

13. Nëse do të duhej të dëgjoje vetëm një këngë gjithë jetën, cilën do ta zgjidhje?

“Roller coaster” Bon Jovi

14. A mendon se shoqëria ka standarde të dyfishta për gratë dhe burrat? Si ballafaqohesh me diskriminimin gjinor?

Fatkeqësisht shoqeria ende në dite të sotme ka standarte të dyfishta për gratë dhe burrat. Prej mënyrës se si rritet një vajzë përkundër një djali, pritjet nga të dy janë shumë të ndryshme si fëmijë në shumë familje. Kjo pastaj vazhdon në shkolle kur një femre ndodh shpesh që i nderpritet shkolla por për meshkujt ky mbetet vendim i tyre. Një femër me karriere të saj ende konsiderohet një veçim dhe me fat që babai e pastaj partneri ‘ia lejon’ e jo si e drejtë e vendim i saj. Për mua diskriminimi gjinor nuk duhet të përballohet, por duhet të sfidohet edhe nëse kjo zgjedhje do na sjellë situata të parehatshme. Në degën që zgjodha për studime, në çdo klasë isha e rrethuar me gjininë tjetër, në ceremoninë e diplomimit për degën time ishim vetëm dy femra, në punën time të parë isha e vetmja inxhiniere femër në grup. Nuk është e rehatshme një mbledhje e mbushur me meshkuj ku nuk e ke një shembull ta shohësh veten pas disa vitesh, por kjo nuk është arsye për kur t’u larguar e të heqësh dorë, është arsye të bëhem shembulli për vajzat e tjera.

15. Si e mendon organizimin ideal të jetës në familje dhe shoqëri? A mendon se duhet të ekzistojnë rolet gjinore? Pse?

Unë nuk mund të flas si duhet të jetë organizimi gjinor në familje dhe shoqëri sepse pikërisht këtu qëndron problemi. Çdo familje ka situatën e ndryshme dhe secili duhet ta organizojë si të jetë më e mirë për ta. Nëse burri është një kuzhinier më i mirë, e gruaja është menaxhuese më e mirë e financave atëherë ky organizim është më i përfitueshëm për ta. Rolet gjinore nuk kanë gjë të keqe nëse vendosen brenda familjes, jo si pritje e standard i shoqërisë shqiptare.

16. Si ballafaqohesh me tundimet?

Tundimet janë ndërtuese karakteri, mësoj nga ato e forcohem duke u munduar t’i kaloj.

17. Si ballafaqohesh me pasiguritë dhe dyshimet mbi veten?

Në çdo hap të ri ka pasiguri po me nje plan e qëllim të qartë është një arsye më shumë ndaj vetes ta sfidoj pasigurinë.

18. Çfarë është miqësia për ty?

Miqësia është rrethi që i bën më të lehta tundimet e gëzon me ty festimet.

19. Në cilën periudhë të historisë dhe në cilin vend do të doje të jetoje?

Çdo periudhë e vend ka sfidat e veta sidomos për gjininë femërore. Edhepse ende kemi shumë rrugë për të bërë, jemi më mirë se më parë, prandaj do e zgjidhja të tashmen në vendin që kam lindur.

20. Kush janë hero-inat/njtë e tu/a?

Heronjtë e mi janë e gjithë familja ime. Babi im edhe pas një dite të gjatë e të lodhshme në punë nuk ka kërkuar qetësi në shtëpi, por ka kaluar kohë me mua. Nëna më ka mësuar të jem e zonja për veten e jo përgjegjësi e dikujt tjeter. Si më e vogla në familje kam gëzuar edhe kujdesin e madh të motrave që gjithmonë kanë qenë shembulli më i mirë.

21. Si do ta zgjidhje problemin e urisë në botë?

Zhvillimi i agrikultures në vendet e varfëra dhe ndarja e burimeve me këto vende janë hapa që do të ndihmonin problemin e urisë në botë.

22. Cili trend i momentit do të mund ta sillte fundin e botës siç e njohim?

Duke marrë parasysh që jemi në kohë pandemie, që të gjithë e pamë si jeta ndërroi në çdo aspekt, atëherë mund të them pandemia.

23. Si do të dukej bota nëse do ta udhëhiqje ti?

Nëse unë do e udhëhiqja botën do zgjidhja të rrethohem me udhëheqës që e kuptojnë që janë zgjedhur të punojnë për njerëzit.

24. A të mrekullon jeta? Ku e gjen domethënien e saj?

Jeta për mua është e mrekullueshme çdo ditë. Për të gjithë domethënia e jetës është në gjërat që na bëjnë të ndihemi të gjallë, unë e gjej në gjëra të thjeshta, prej një kafeje në mëngjes në shtëpi, te një ditë pune e lodhshme apo një mbrëmje me familje.

25. Si do të doje të vdisje?

Mendoj më shumë si dua të jetoj, kur të vdes shpresoj që të vdes e qetë dhe pa pendime.

26. Po të kishe super fuqi, çfarë fuqish do të doje?

Po të kisha super fuqi do ta zgjedhja teleportimin. Për një person që ka një orar të ngarkuar, teleportimi do më kursente shumë kohë.

27. Çfarë është një gjë që ti e beson si të vërtetë, por që pak njerëz e besojnë si të tillë?

“Ka funksionuar për shumë, kështu do ia dal njejtë”, është parim i shumë njerëzve e që unë besoj në të kundërtën. Një rrugë ndryshe e një sakrificë me prioritete të drejta do të sjellin rezultate më të mira.

28. Si e mendon takimin tënd me Zotin?

Nëse e takoj do e kuptoj./supergrate.net/