Home>>Gra të forta>>Njih një grua që frymëzon: VALBONA BRAHAJ
Gra të forta

Njih një grua që frymëzon: VALBONA BRAHAJ

Valbona Brahaj është diplomuar në nivelin bacherlor në degën e informatikës. Është në përfundim të studimeve master për teknologj informacioni dhe komunikimi në Fakultetin e Shkencave në Tiranë. Punon si content writer pranë një kompanie marketingu në Tiranë dhe njëkohësisht si freelancer për një sërë biznesesh duke ofruar shërbime të marketingut dixhital. Është mjaft aktive në platformat online si përcjellëse e përmbajtjes motivuese, marketing si dhe mentore përsa i përket metodologjive të ndërtimit të biznesit online. Të rejat dhe shërbimet e saj i ndan rregullisht në faqen e saj www.valbonabrahaj.com si dhe ne kanalin e saj në YouTube si një Sipërmarrëse e re Online.

1. Cila është ëndrra, frika, shpresa dhe pendimi yt më i madh?

Mendoj se nuk ka asgjë të pamundur dhe se çdo gjë është e realizueshme, dhe po përgjigjem në formë të drejtpërdrejtë. Ëndërr e kam të bëhem Hafize e Kur’anit ngase kam frikë se si do më gjejë vdekja, por shpresoj se do të mund të kategorizohem prej atyre që janë bartësit e fjalës së Zotit, e zjarri nuk i djeg. Pendohem që nuk kam filluar në moshë edhe më të hershme në investimin ndaj vetes përsa i përket zhvillimit ndërpersonal dhe angazhimit me Kur’anin.

2. Si do të doje të të mbanin mend njerëzit?

Në përgjithësi jam person aktiv dhe më pëlqen të ndërveproj me njerëzit, të njihem dhe të ndërtoj marrëdhënie të shëndosha me ta. Në këtë lloj raporti gjithmonë synoj të jem dhe të shfaq suport dhe t’i nxis drejt vetëralizimit të tyre. As më pak as më shumë, çfarë bëj sot dhe vazhdimisht, është çfarë pres të mbahet mend nga unë.

3. Si të përshkruajnë njerëzit që të duan? Si të përshkruajnë njerëzit që nuk të duan? (Tri fjalë)

Inspiruese, Këmbëngulëse, Kreative. Realisht nuk e di si më përshkruajnë ata që nuk më duan. Nuk më ka rënë në vesh e as nuk ma kanë shprehur.

4. Çfarë duhet të ketë secila grua?

Vetëbesim. Është shumë i rëndësishëm për çdo grua për t’u ndjerë e lirë dhe e motivuar në misionin e saj.

5. A mendon se personaliteti i një gruaje shpërfaqet në veshjen e saj? Nëse po, si?

Mendoj se po. Veshja përkthehet në përkujdesje ndaj vetes dhe çdo moment reflekton diçka. Qoftë gjendje shpirtërore apo psikologjike, është tregues i diçkaje. Madje jo vetëm për femrat.

6. Cila është fuqia më e madhe e të qenit grua?

Mendoj se gruaja është rregullator esencial i shoqërisë në çdo lloj periudhe dhe kjo është vërtetë një superfuqi. Besoj thellësisht se edukimi dhe rritja e grave me vizion dhe moral përmirëson ndjeshëm jetën në përgjithësi.

7. Çfarë mendon për glorifikimin e vetëmohimit të gruas? A është gruaja nga natyra flijuese e vetëmohuese, apo janë rrethanat ato që ia imponojnë këtë?

Mendoj se gratë janë vërtetë shumë të veçanta. Karakterizohen nga një forcë e brendshme e jashtëzakonshme dhe dashuri e pakushtëzuar. Megjithatë mendoj se janë rrethanat ajo çfarë ia imponojnë të jetë flijuese, sidomos kur ajo është nënë.

8. A është lindja dhe rritja e një njeriu puna më e madhe që mund të bëjë një grua? A duhet gratë të definohen me rolin e amësisë?

Padyshim që lindja dhe rritja e një njeriu është diçka shumë e madhe sepse suksesi në këtë hap do të thotë sukses në rritjen e një shoqërie të shëndoshë. Nuk ka fjalë për ta shprehur rëndësinë e kësaj pune ndaj them se vërtet ky do ishte sukses i madh për çdo grua dhe duhet ta synojë vazhdimisht. Amësia do të ishte vetëm një definicion për gruan, por them se jo i mjaftueshëm pasi roli i saj shkon përtej kësaj në raport me bashkëshortin e saj, familjen e shumë shumë më gjerë.

9. “Shtëpia duhet të jetë qendra, por jo kufiri i një gruaje.” Si e komenton këtë thënie?

Jam shumë dakort. Roli i saj esencial padyshim që në shtëpinë dhe familjen e saj luhet dhe frutet shijohen përtej saj. Por pozitiviteti dhe kontributi i saj është i nevojshëm edhe përtej ‘kufirit’ pasi kanë shumë për të dhënë.

10. Një grua nga e kaluara që të frymëzon?

Hatixhja është padyshim ai ‘Role Model’ që kujtoj herë pas here dhe i përshtatet shumë imazhit të gruas ideale që aspiroj të arrij. Një grua e kompletuar në çdo dimension.

11. Po të ishe fjalë, cila fjalë do të ishe?

Dashuri. Do doja të isha në gjuhët e atyre që duan e shpërndajnë dashuri.

12. Po të ishe një artikull veshjesh, çfarë do të ishe?

Çantë. Më pëlqen si aksesor se të lejon të marrësh me vete gjëra pa të cilat nuk rri dot. (Libër, celulari, kujdesi ndaj vetes, të hollat)

13. Nëse do të duhej të dëgjoje vetëm një këngë gjithë jetën, cilën do ta zgjidhje?

Vetëm një melodi. Ezanin. Ftesa për shpëtim është gjithmonë shpresë.

14. A mendon se shoqëria ka standarde të dyfishta për gratë dhe burrat? Si ballafaqohesh me diskriminimin gjinor?

Sigurisht që ka. Kjo është një kauzë e rëndësishme pasi shpesh çon në prishje të marrëdhënieve familjare e shoqërore, pa nevojë. Secila palë është unike dhe rolet janë të mirëpërcaktuara për secilin në familje e më gjerë, dhe nëse zbatohen siç duhet, çdo gjë do të ishte shumë herë më mirë dhe më paqësore. Personalisht nuk jam ndeshur me diskriminim të tillë, por gjithsesi nëse rolet qartësohen për secilën palë dhe janë të qëndrueshëm në atë çfarë iu takon, pavarësisht rrethanave, situata mund të mirëmenaxhohet me sukses.

15. Si e mendon organizimin ideal të jetës në familje dhe shoqëri? A mendon se duhet të ekzistojnë rolet gjinore? Pse?

Thelbi i një jete ideale familjare dhe shoqërore është komunikimi, përkushtimi dhe dashuria. Nëse këto elementë janë të qëndrueshëm, rolet duhet të ekzistojnë, por nuk kanë pse të jenë tejet statike. Kjo në sensin që të dy palët duhet të kryejnë atë çfarë iu takon, por duhet që të jenë suport për njëri-tjetrin në çdo lloj rrethane. Të mos kursehen në suport dhe bashkëpunim ‘për hir të roleve’.

16. Si ballafaqohesh me tundimet?

Rikujtoj parimet e mija, dhe funksionon gjithmonë.

17. Si ballafaqohesh me pasiguritë dhe dyshimet mbi veten?

Vetëmotivimi është diçka që e zotëroj më së miri.

18. Çfarë është miqësia për ty?

Suport, dashuri e gëzim.

19. Në cilën periudhë të historisë dhe në cilin vend do të doje të jetoje?

Nuk kam ndonjë preferencë në fakt. Jam e kënqaur me këtë kohë e këtë vend që jam. Mendoj se Zoti e di më së miri përse e ka zgjedhur këtë gjë e Ai është më i miri Planifikues.

20. Kush janë heronjtë e tu?

Nëna ime.

21. Si do ta zgjidhje problemin e urisë në botë?

Duke nxitur njerëzit të gjithë të pastronin pasuritë e tyre me zekat. Mënyra tjetër, duke i krijuar mundësi pune kësaj kategorie njerëzish.

22. Cili trend i momentit do të mund ta sillte fundin e botës siç e njohim?

1.Shkatërrimi i familjes – janë shumë elementë trendy që po ndikojnë çdo ditë e më shumë (LGBT, Divorcet etj)
2. AI – Inteligjenca Artificiale, njerëzit humbasin rolin e tyre si qenie superiore në këtë planet, kur AI vetë bëhet më superiore se njeriu përmes aftësisë së vetë – mësimit.

23. Si do të dukej bota nëse do ta udhëhiqje ti?

E drejtë.

24. A të mrekullon jeta? Ku e gjen domethënien e saj?

Tek koha. Ikën shumë shpejt, dhe është në dorën e secilit se si e mbush çdo moment.

25. Si do të doje të vdisje?

Njëkohësisht, me atë që dua.

26. Po të kishe super fuqi, çfarë fuqish do të doje?

Udhëtimin në kohë. Disa momente janë aq të veçanta saqë dua t’i kujtoj e t’i ndjej sërish, pse jo.

27. Çfarë është një gjë që ti e beson si të vërtetë, por që pak njerëz e besojnë si të tillë?

Jeta nuk është e padrejtë. Çdo gjë ndodh për një arsye të fortë.

28. Si e mendon takimin tënd me Zotin?

Mallëngjyes./supergrate.net/

© Nuk lejohet riprodhimi pa vendosur autorësinë e portalit supergrate.net dhe pa cituar burimin.