Home>>Ngjarje>>Rriten rastet e dhunës ndaj grave gjatë pandemisë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut – Institucionet dështojnë t’i mbrojnë viktimat
Ngjarje

Rriten rastet e dhunës ndaj grave gjatë pandemisë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut – Institucionet dështojnë t’i mbrojnë viktimat

Pandemia dhe karantinimi i shteteve e njerëzve në to pati pasoja të rënda ekonomike në mbarë botën, por problemet që pasuan pas izolimit vetëm se i shumëfishuan pasojat dhe e rënduan gjendjen. Në një situatë të tillë që preku globin, vendet që më së shumti i ndjenë pasojat janë shtetet edhe ashtu të varfra ekonomikisht dhe jostabile politikisht, shkruan Gazeta Scanner.

E tërë kjo u bë e dukshme në shtetet e Ballkanit, ku edhe siç ishte pritur e parashikuar nga ekspertët, pandemia dhe karantina shkaktuan thellim të gjendjes depresive të njerëzve, çfarë automatikisht i shtoi dukuritë negative në shoqëri, mes tyre edhe rastet e dhunës në familje, nga të cilat në pjesën dërrmuese e pësuan gratë.
Ky fenomen i preki veçanërisht shqiptarët kudo në trojet shqipfolëse, dhe vetëm pasojat e pandemisë e karantinës nuk ishin arsyeja e vetme, por këto të dyja ndikuan në përshkallëzimin e gjendjes.

Studiuesit dhe aktivistët e shoqërisë civile e kanë pritur me shqetësim të madh shtimin e rasteve të dhunës në familje në trojet shqipfolëse, për çka potencojnë se një pjesë të madhe të fajit e kanë institucionet, të cilat nuk bënë mjaftueshëm për mbrojtjen e viktimave.

Njëra ndër aktivistet më të zëshme nga Kosova, Adelina Tërshani, thotë për Gazeta Scanner se e ka pritur një gjë të tillë, por sipas saj, fakti që ka qenë e pritshme, nuk do të duhej ta normalizonte dhunimin e asnjë lloji dhe nuk do të duhej të merrej me kaq qetësi as nga shoqëria, e as nga institucionet.
Duke iu referuar raportit të Policisë së Kosovës, ajo u shpreh se rastet e dhunës në familje janë rritur për 30%, krahasuar me vitin e kaluar.

(Adelina Tërshani)

Sipas saj, për gratë dhe vajzat që jetojnë në ambiente dhune, karantina vetëm se e ka vështirësuar rrugën e tyre për të lajmëruar rastet e tilla.
“Faktori kryesor që e ka shndërruar dhunën ndaj grave në normë është përgjigjja e vonë dhe jo serioze institucionale. Duke mos ju ofruar mbështetje viktimave të dhunës dhe as dënim dhunuesve, ne kemi siguruar që dhuna ndaj grave të konsiderohet perditshmeri dhe rrjedhimisht të mos i bëjë më përshtypje askujt”, thotë ajo.

Tërshani vuri në dukje edhe një problem tjetër tejet shqetësues, që ka ndikuar në rëndimin e kësaj situate, e që ka të bëjë me shkeljen e të drejtave në vendet e punës.
“Shumë gra kanë humbur vendet e tyre të punës, por edhe kur kanë vazhduar të punojnë në kushte pandemike, të drejtat e tyre si punëtore nuk janë respektuar. Shume herë ato kanë punuar me orar shtesë pa pagesë shtesë, pa masa mbrojtëse nga pandemia, e në shumë raste edhe e kanë humbur të drejtën e tyre për pushim/leje të lehonisë”, u shpreh Tërshani.

Në gjendje aspak më të mirë nuk qëndruan as gratë në Shqipëri, të cilave karantina ua shumëfishoi barrën e problemeve ekzistuese.

Entenela Ndrevataj, gazetare dhe aktiviste e shoqërisë civile në Shqipëri, duke cituar Rrjetin e Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN), njoftoi se Linja Kombëtare për Gratë dhe Vajzat, kishte marrë rreth 2000 telefonata për ndihmë gjatë muajit mars dhe maj, dy muajt e parë të karantinës. Ndërkaq, sipas Raportit të Policisë së Shqipërisë, kundrejt telefonatave të trefishuara, Policia e Shtetit njoftoi se gjatë muajit mars, vendi pati ulje të denoncimeve për dhunë në familje, e për këtë, ajo numëron disa arsye.

(Entenela Ndrevataj)

“Sipas këndvështrimit tim, kjo ka ndodhur për disa arsye: Gratë kanë qenë në mbikëqyrje të vazhdueshme nga dhunuesit dhe nuk kanë mundur të lëvizin, penalitetet në rast se shkeleshin rregullat e karantinës ishin të mëdha, transporti publik ishte i pezulluar dhe Policia e Shtetit, bashkë me institucionet e tjera, kishin prioritet parandalimin e përhapjes së mëtejshme të infeksionit, shkaktuar nga Covid-19”, shpjegon ajo për Scanner.

Ndrevataj thotë se dhuna në familje nuk është një problem i ri, që është shfaqur si pasojë e izolimit të njerëzve, e aq më pak nuk ka të bëjë me raste të izoluara.
“Faktorët që e kanë shndërruar pabarazinë në normë, në këndvështrimin tim, janë mentaliteti i cili ende është i patrazuar në gjenezën e saj, mosdëshira e njërës gjini për të lëshuar pe nga privilegjet, brendësimi i normave nga vajzat dhe gratë, frika ndaj reagimit të të afërmve dhe komunitetit, kurrikulat arsimore, media, policia e shtetit dhe ana e cungët e ligjit në praktikë”, thotë ajo.

Ajo pohon se shteti bërë pak për t’ju gjetur në krahë e për t’ju dhënë ndihmë viktimave të dhunës në familje.
“Mendoj se shteti gjatë pandemisë ka pasur tjetër fokus dhe nuk është përkushtuar në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Strehëza kombëtare, e cila ka kapacitet të limituar dhe është një e vetme për të gjithë Shqipërinë, bllokoi procesin e akomodimit për rastet e reja të dhunës në familje. Disa javë pas karantinës, strehëza rihapi shërbimin për viktimat e dhunës në familje”.

Rita Behadini, bashkëthemeluese e organizatës, “Qendrës për Mundësi të Barabarta”, me veprimtari në Maqedoninë e Veriut, vlerësoi se gratë shqiptare dhe në përgjithësi, edhe ato në Ballkan, edhe ashtu e kanë jetën e vështirë, ndërkaq pandemia vetëm se ua ka shtuar barrën.

(Rita Behadini)

Ajo shpreh bindjen se statistikisht në Maqedoninë e Veriut ka shumë më tepër raste të dhunës në familje, në krahasim me sa bëhen të ditura për qytetarët.

“Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në periudhën 12 mars – 12 qershor, gjatë kohës kur ka pasur karantinë në Maqedoninë e Veriut, janë regjistruar gjithsej 269 raste të dhunës familjare. 79 raste në mars-prill, 85 raste në periudhën prill-maj dhe 105 raste në periudhën maj-qershor. Siç shihet, numri i rasteve shkon duke u rritur, megjithatë kjo nuk është një pasqyrë e qartë e dhunës familjare, meqë në Maqedoninë e Veriut e njëjta paraqitet shumë pak. Vazhdon ende të ngelet brenda mureve të shtëpive”, tregoi ajo për Scanner.

Behadini thotë se edhe në Maqedoninë e Veriut, institucionet kanë dështuar të bëjnë qoftë edhe një ndryshim të vetëm pozitiv për viktimat.
“Për aq kohë sa ende viktimat e dhunës detyrohen të kthehen te dhunuesi, kam përshtypjen që shteti nuk ka arritur të menaxhojë si duhet as situatën me të infektuarit gjatë pandemisë, e jo më të merret me viktimat e dhunës që vazhdimisht ngelin të anashkaluara nga ana e shtetit. Fatkeqësisht, sado që duam ne të ngremë vetëdijen te gratë për të paraqitur rastet, për aq kohë sa shteti nuk ju ofron mbrojtjen e duhur, gjithçka është e kotë”, konstatoi ajo.

Për më tepër, Behadini tregoi se shpeshherë janë vetë zyrtarët policorë ata që e minimizojnë e normalizojnë dhunën, madje edhe i përqeshin viktimat.
“Jo rrallë herë dëgjojmë se si gratë që raportojnë dhunën, tallen nga vetë polici që ju merr deklaratë, se si të njëjtave ju thuhet “të durojnë”, “vetë i kanë pasur fajet”, “të shkojnë në shtëpi se nesër kalon”. Duhet të kthejmë policinë nga ana e të dhunuarave, vetëm atëherë do të mund të njëjtat të ndjehen të sigurta për të raportuar dhunën. Pastaj të ju sigurohet edhe ndihmë financiare nga shteti, pasi gratë nuk janë të pavarura financiarisht, duke qenë se nuk kanë punë e shumë shpesh heqin dorë nga trashëgimia.

Dr. Violeta Zefi, psikologe sociale, konstatoi se pasojat e COVID-19 janë tejet të rënda për popullatën, e dhuna në familje është një ndër më të mëdhatë.

(Violeta Zefi)

“Me mbylljen e shkollave dhe qendrave të kujdesit për fëmijë, shumë gra përpos që janë detyruar të punojnë nga shtëpia, ato në të njëjtën kohë është dashur që të përkujdesën edhe për fëmijët, apo anëtarë tjerë të familjes, duke përfshirë këtu edhe personat e moshuar. Kështu, për muaj më radhë, atyre u është dyfishuar puna në të njëjtin orar. Përkundër thirrjeve dhe kërkesave që njeri prind të lirohet nga puna për përkujdesje të fëmijëve, kjo nuk ka arritur të implementohet ashtu si duhet. Po ashtu, për gjatë gjithë kësaj periudhe është raportuar numër i shtuar i rasteve të dhunës në familje, përkatësisht ndaj grave. Për me tepër, në muajt e fundit në Kosovë janë raportuar edhe raste të dhunës seksuale”, u shpreh ajo për Scanner.

Për këtë situatë të krijuar, ajo numëron disa faktorë qenësorë, të cilët e kanë ndikuar që gjendja të vijë në këtë të sotmen.
“Me vendosjen e masave distancuese, sidomos gjatë periudhës se karantinimit, janë raportuar raste të shumta të dhunës në familje. Faktorë të shumtë kanë përkeqësuar situatën në fjalë. Niveli i lartë i stresit, mosfunksionimi i rrjetit shoqëror dhe atij të mbrojtës ndaj grave dhe ulja e qasjes në shërbime specifike, të gjitha këto e kanë përkeqësuar gjendjen, dhe rrjedhimisht, e kanë rritur rrezikun e dhunës ndaj grave. E gjithë kjo sjell pasoja për gratë, në veçanti pasojat prekin aspektin psikologjik dhe emocional të tyre”.

Ekspertët dhe aktivistët e shoqërisë civile kanë qenë tejet të zëshëm në këtë periudhë pandemie, që rastet e dhunës në familje të merren seriozisht, njësoj si duhet të merret seriozisht edhe ofrimi i mbrojtjes dhe formave tjera të ndihmës institucionale për viktimat. Megjithatë, edhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme, as Kosova, as Shqipëria, e as Maqedonia, ende nuk kanë krijuar politika dhe nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap konkret në lidhje me këtë dukuri. /Fatbardhë Kiqina, Gazeta Scanner/supergrate.net/