Home>>Gra të forta>>Dikur sëmundja gati ia pamundësoi shkollimin, sot është autore e dy librave
Gra të forta

Dikur sëmundja gati ia pamundësoi shkollimin, sot është autore e dy librave

Blerina Murtezi është një poete e re nga qyteti i Ferizajt, e cila ndonëse nuk ka pasur një jetë aspak të lehtë, ka vendosur që vështirësitë t’i kthejë në forcë e vargje.
Ajo tashmë ka botuar librin e saj të dytë, të cilin e ka promovuar së fundmi në qytetin e saj të lindjes.

Duke qenë një person me aftësi të veçanta, Blerina e pati të vështirë integrimin në shoqëri, e për më tepër, shteti nuk bëri asgjë që t’ia lehtësojë këtë rrugëtim.

Për Gazetën Scanner, ajo rrëfen historinë e përballjes së saj me sëmundjen, luf-tën për t’u shkolluar dhe inspirimin për të shkruar.

Edhe përkundër të gjitha sfidave dhe vuajtjeve, Blerina është ngritur për të mos u rrëzuar më kurrë, e ka shndërruar dhimbjen në forcë e forcën në art, kurse artin e ka vënë në shërbim të forcimit dhe komunitetit dhe shoqërisë.

GazetaSCANNER: Si ishte të shkolloheshe duke u përballur me Distrofi Muskulare? Sa ua lehtësuan institucionet shkollore procesin mësimor?

Pasi me përplot vështirësi mbarova shkollën fillore dhe atë të mesme të ulët, vendosa ta regjistroj shkollën e mesme në Ferizaj, por atje nuk më pranuan, duke më thënë se nuk kisha qasje dhe se nuk mund të kujdeseshin për mua.

Prita plot shtatë vite dhe çdo vit luftova të shkollohem, por prapë nuk më pranuan, duke më thënë se më kishte ikur mosha. Pas kësaj vendosa të regjistrohem në një shkollë të mesme në Prishtinë, të cilën e përfundova me ndihmën e shoqërisë, por natyrisht që ëndrra ime është ta mbaroj edhe fakultetin”.

GazetaSCANNER: Ku e gjeni inspirimin për të shkruar?

Mua më inspiron vendi ku jetoj, njerëzit, buzëqeshjet e tyre dhe ata që luftojnë e gëzohen si fëmijët. Po ashtu, inspirimin për vargjet e mia e kam gjetur te humbja e vëllait tim, shkolla dhe ndarja nga shoqëria ime.

Shkrimi më ka ndihmuar ta gjej veten dhe ta shoh zemrën time, sikur duke shkruar u përballa edhe njëherë me çdo gjë që më dërgoi jeta.

GazetaSCANNER: Inspirimin e keni gjetur tek vargjet, të cilat tashmë i keni përmbledhur në dy libra. Cilat janë tematikat?

Libri im i parë që e kam botuar quhet “Guxo”, më 25 korrik të vitit 2018. Ky libër i dedikohet vëllait tim që iku nga kjo votë në një moshë të re, por ka edhe tematika të tjera, që përfshijnë sfidat e mia jetësore dhe sidomos të qëndruarit në karrocë. Ndërkaq, librin e dytë e botova më 20 gusht të këtij viti, e titulli është “Ëndrrat e mia”, i cili flet e përshkruan bukurinë e ëndrrave, lumturinë, dashurinë e pafundme të familjes e shoqërisë, etj.

GazetaSCANNER: Sa ka qenë i vështirë si proces botimi i librave dhe a ju ka ofruar dikush mbështetje?

Si proces nuk është aspak i vështirë sepse nëse ke ëndrra dhe beson në vete, nuk dorëzohesh asnjëherë.

Në botimin e të dy librave më ka ndihmuar shoqata ku unë jam anëtare, “Hendifer”. Përmes shoqatës i njoftova edhe dy miqtë e mi që i kanë kontrolluar poezitë e mia, Fitore Dervishi dhe Agron Kelmendi.

GazetaSCANNER: Cila është këshilla juaj për të gjithë ata që momentalisht po përballen me vështirësi?

Bëhuni gjithmonë të mirë, dhuroni dashuri, rrini vetvetja gjithmonë, duani dhe guxoni të përballeni me çdo gjë.

Edhe përkundër të gjitha sfidave dhe vuajtjeve, Blerina është ngritur për të mos u rrëzuar më kurrë, e ka shndërruar dhimbjen në forcë e forcën në art, kurse artin e ka vënë në shërbim të forcimit dhe komunitetit dhe shoqërisë. /Intervistoi Fatbardhë Kiqinia/gazetascanner/supergrate.net/