Home>>Zëri i grave>>Fuqizimi i vërtetë i grave ndodh kur standard e kanë Zotin, jo burrin!
Zëri i grave

Fuqizimi i vërtetë i grave ndodh kur standard e kanë Zotin, jo burrin!

Nga Brunilda Basha

Kur një shok i Profetit Muhammed a.s. shkoi në një qytet për të përhapur mesazhin e Islamit, ai u thotë atyre: “Unë erdha t’ju çliroj nga shërbimi si skllevër dhe t’ju ngrej në shërbyes të Zotit të skllevërve.”

Brenda kësaj deklarate qëndron një mesazh i fuqishëm. Ky është çelësi i fuqizimit dhe e vetmja rrugë e vërtetë për çlirim.

Në momentin që ne lejojmë dikë tjetër të përcaktoj rolin, vlerën, suksesin apo dështimin tonë, përveç Zotit, ne dashje padashje jemi kthyer në skllevër. Qoftë kjo skllevër të botës mashkullore, të modës dhe trendit, apo të nismave dhe idealogjizmave të ndryshme. Ne rezultojmë duke matur vetveten me çdo parametër përveç standarteve të vendosura nga Zoti.

Në momentin që Zoti fshihet nga jeta sociale, familjare, individuale e njeriut, rrjedhimisht njësia matëse do të jetë diçka e kësaj bote. Në këtë menyrë nuk do të kemi balancë, por do të kemi zhgënjime, nënvlerësim dhe zhvlerësim të vetvetes.

Sot po përpiqemi të diskutojmë rolin dhe vendin e femrës nxitur nga batuta, nga deklarata tek tuk, në kontekste sa të ndryshme, aq irevelante dhe pa qenë të qartë se ku duam të dalim. Duke jetuar çdo ditë nën presionin e idesë se konsiderohemi si dytësore në zhvillimin jetësor, duke u munduar të konkurojmë në çdo pozicion që ka mashkulli, duke u përpjekur të harxhojmë energjinë tonë t’i përgjigjemi çdo sulmi të qëllimshëm, si : “Femra nuk mund të bëjë dot punë te rënda fizike”, dhe që në fakt nuk ka pse t’i bëjë, po shterohemi dhe po mbajmë mbi shpinë disa shqetësime të cilat po e dëmtojnë dita ditës femrën.

Këto slogane dhe intimidime duhet të anashkalohen duke u fokusuar tek pikat tona të forta me të cilat mund të japim maksimumin tonë. Si mund të ndërtojmë ne familjen shembull, mjedisin e shëndoshë për fëmijën tim, si mund ta ndihmoj unë këtë shoqëri?

Forca e vazhdueshme që duhet të na shtyjë për të ecur para është qëllimi i pastër që i ke vendosur vetes për të arritur në një destinacion të caktuar. Ky qëllim të ndihmon të ngrihesh e ringrihesh sa herë rrëzohesh. Nëse njeriu nuk do kishte nje synim për të arritur atëherë çdo nismë do e linte përgjysmë. Qëllimi i tij nuk matet vetëm me produktin final në tokë, por matet edhe me përpjekjen e vazhdueshme që bën për të arritur objektivin. Madje vetëm me këtë të fundit.

Nëqoftëse femrat dhe meshkujt do arrinin të kuptonin dhe vinin në jetë fjalën e Zotit “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja” ne do të kishim një shoqëri më bashkëpunuese, më të shëndetshme qoftë shpirtërisht dhe moralisht. Keshtuqë le të fokusohemi e të garojmë vec për të mirën!/supergrate.net/