Home>>Për gratë>>Nuk arsyetohen ngacmimet, por nuk arsyetohet as veshja skandaloze e femrave në rrugë..
Për gratë

Nuk arsyetohen ngacmimet, por nuk arsyetohet as veshja skandaloze e femrave në rrugë..

Nga Iljasa Salihu

Ngacmimet e ndërsjella zhduken me edukimin e ndërsjellë
Nuk arsyetohet assesi ngacmimi seksual ndaj femrave, madje ngacmuesit dhe dhunuesit duhet dënuar tepër rëndë, mirëpo po ashtu nuk arsyetohet zhveshja skandaloze apo veshja joshëse e femrave, ku sot me shumësi i ke në rrugë, shkolla, mediume, rrjete shoqërore e gjetke, ngaqë edhe kjo është ngacmim seksual ndaj meshkujve. Për aq kohë sa ky fakt nuk përmendet e nuk merret parasysh, atëherë jemi duke aktruar se po brengosemi për ngacmimet dhe dhunimet seksuale. Në fakt jemi duke e ujitur një gjë të tillë! Është e tmerrshme kur publikisht një vajzë me brekë të gjata na ligjëron për të këqijat e ngacmimeve dhe dhunimeve. Megjithatë, nuk është arsyeja e vetmja e ngacmimeve dhe dhunimeve kjo qasje dhe ky realitet, por është shumë e rëndësishme, ndaj secili nëse punon mirëfilli me veten, gjërat do të shkojnë drejt përmirësimit.
Po ashtu, duhet ditur se kurrë dy gjinitë nuk mund të jenë të njëjta, ngaqë Zoti na krijoi të ndryshëm, por plotësues të njëri-tjetrit. Patjetër të njihemi e të pranohemi, por femra ta humbë femërinë vetëm që të barazohet me mua, ose unë mashkullinë vetëm që të bëhem si ajo në emër të një barazie të banalizuar, është e dëmshme dhe ikje prej natyrshmërisë. Nuk është nënçmim t’i thuhet Mesit se epërsia juaj në futboll është të luash përpara. Për fat të keq, lëvizjet e sotme femërore, duan të na lënë pa rol, pa pozitë, pa dallueshmëri, pa veçori, pa veçanti, që shprehur me logjikën e futbollit, ose të gjithë përpara të luajmë, ose të gjithë në mbrojtje, mbase edhe familjen duan ta lënë pa autoritet, që shprehur në logjikën institucionale, ose të gjithë të punësuarit në ministri të bëhen ministra, ose ministri të bëhet i ngjashëm si të gjithë të punësuarit. Ç’është kjo shkrirje e kjo laramani e pashije?
Rasti i pandemisë na mësoi se për t’u mbrojtur duhet që të mbajmë largësi trupore, por për të qenë më me ndikim mbrojtja, ekspertët na këshilluan që të vendosim edhe maska në gojë e në hundë. Mbase e marrim edhe shembullin e veturës! Për t’ju shmangur aksidentit, ekspertët e komunikacionit na treguan se me çfarë shpejtësie duhet ta ngasim makinën, përskaj kësaj, nëse ndodhë të kemi aksident, për të qenë dëmi sa më i vogël, veturën e pajisën me rripa të sigurisë dhe me jastëkë. Lehtë do të zgjidhej ky problem, por po shihet se dikush në emër të kësaj zgjidhjeje, po krijon probleme tjera në mënyrë që të jenë në skenë e të gllabërojnë sa më shumë mjete financiare. Kur mjeku amë të jep udhëzim për te pneumologu, nuk ke nevojë të shkosh te gjinekologu, edhe pse si njëri, ashtu edhe tjetri janë mjekë.
Edhe njëherë e përsërisë, nuk arsyetohet assesi ngacmimi seksual ndaj femrave, madje ngacmuesit dhe dhunuesit duhet dënuar tepër rëndë, qoftë si shoqëri e qoftë si shtet./supergrate.net/