Home>>Familja>>10 hapa të thjeshtë për ta parandaluar prindërimin toksik
Familja

10 hapa të thjeshtë për ta parandaluar prindërimin toksik

Nga Thomas Fiffer
Përshtatja: supergrate.net 

Prindërimi toksik përgatit terrenin për të rritur abuzues dhe krijon një qark nga i cili është vështirë të shkëputesh. Thomas Fiffer ofron 10 këshilla se si mund ta ruani prindërimin tuaj të shëndoshë e të sigurtë.

Mbase gjëja më e keqe që një prind mund ta dëgjojë nga fëmija i rritur është “Nuk të dua në jetën time. Je toksik.” Ky është një dënim me vdekje për marrëdhënien, që përkthehet me një periudhë të gjatë të tëhuajësimit nëse jo ndarjes së përjetshme. Ky mund të jetë vendimi më i shëndoshë për fëmijën, por është vendim që thyen zemrën dhe lë plagë të thella në psikologjikë e të dy palëve, duke e bërë rrugën e pajtimit të mundimshme dhe të pasigurtë. Asnjë prind nuk është i përkryer. Të gjithë jemi njerëz, dhe të gjithë bëjmë gabime, ndonjëherë edhe të mëdha. Por ka dallim të gabosh përderisa ofron dashuri të shëndoshë dhe të drejtosh një fëmijëri psikologjikisht dëmtuese që do të kërkojë një jetë të tërë shërim. Hapat e renditur në vijim janë për prindërit e brengosur që duan t’i bëjnë gjërat si duhet dhe kanë vullnetin ta shqyrtojnë veten në mënyrë kritike. Të njëjtat presupozojnë një shkallë të shëndoshë të dijes mbi veten dhe dëshirës dhe aftësisë për të bërë ndryshime pozitive. Nuk e adresojnë sjelljen e shkaktuar nga abuzimi i substancave apo sëmundje serioze mendore. Dhe në fund, janë vetëm mendimi i një personi.

1. Jini personi më i madh. Ju nuk jeni thjesht personi më i madh, ju jeni i rrituri. Silluni si i tillë. Pas zënkës, jini ju ai i cili e thyen heshtjen, e zgjat degën e ullirit, dhe përpiqet ta rivendosë komunikimin e shëndoshë. Mund të kesh pasur të drejtë, por nëse prindërimi për ju është të kesh të drejtë, do ta largoni fëmijën tuaj nga vetja. Zbatojini përparësitë e pjekurisë për të mirë. Bëni një hap prapa dhe procesoni. Përdoreni gjykimin tuaj. Dhe hapëroni me vendosmëri, jo për të pasur të drejtë por për t’i rregulluar gjërat mes jush. Fëmijët kanë shumë më pak gjasa të mbajnë mend nëse keni humbur apo fituar një zënkë të caktuar, ndërsa mund ta mbajnë mend me saktësi se si i keni bërë të ndihen.

2. Mos i patologjizoni fëmijët tuaj për t’i mbuluar shkathtësitë tuaja të dobëta të prindërimit. Etiketimi i fëmijës ose përdorimi (ose më e keqja, kërkimi) i një diagnoze, si ADD/ADHD apo një çrregullimi në personalitet për ta spjeguar apo arsyetuar sjelljen që duhet ta adresoni – ose që e reflekton modelimin tuaj jo të shëndoshë – vendosë një barrë të rëndë në supet e fëmijës të cilën ai mezi do të presë ta largojë kur të rritet. E njëjta vlen për fajësimin e gjeneve për sjelljen e padëshirueshme – zakonisht duke ia lënë fajin partnerit. Është një gjë të jeni realist dhe ta trajtoni një gjendje të caktuar. Dhe është një gjë krejtësisht tjetër ta indoktrini fëmijën tuaj me pashmangshmërinë e një jete të kufizuar, jo të lumtur për shkak të mungesave të pashmangshme përderisa rrefuzoni t’i adresoni dështimet tuaja.

3. Mos e bëni dramën e tyre tuajën. Fëmija juaj arrinë sukses në ndonjë fushë, apo ndoshta vuan nga depresioni. Kush po triumfon apo kush po vuan në këtë rast? Kush i meriton lëvdatat apo simpatinë? Vëjeni fokusin aty ku përket – tek fëmija-dhe mbajeni aty. Patjetër që edhe ju keni ndjenja. I ndani si gëzimin ashtu edhe pikëllimin e fëmijës suaj. Por mos u kapni pas gjendjes suaj emocionale as mos u përpiqni që përvojat e tyre t’i bëni të duken sikur kanë të bëjnë me ju.

4. Kuptojeni dallimin mes të kritikuarit dhe korrigjimit. Fëmijët kanë nevojë për udhëzime për të qëndruar në rrugën e duhur. Për shumë prej tyre, disiplina, vetkontrolli dhe shprehitë e shëndosha nuk vijnë natyrshëm – ato mësohen. Jini udhëzues, jo kritik. Mos e quani fëmijën tuaj përtac apo budalla. Mësoijani atij etikën e punës dhe ndihmojini t’i ndërtojë shkathtësitë akademike. Të sfiduarit dhe vendosja e qëllimeve i motivon njerëzit dhe i bën të përpiqen më shumë. Fyerjet personale e thyejnë shpirtin dhe i bëjnë njerëzit të heqin dorë. Kritikat dobësojnë, ndërsa korrigjimi forcon dhe hap dyert për përforcim pozitiv.

5. Mësoni t’i kontrolloni impulset. Të gjithë zemërohemi. Të gjithë bërtasim. Dhe ndonjëherë, e humbim kontrollin kur fëmijët na i shtypin disa butona të caktuar. Kur kjo ndodh, ndihemi të padëgjuar, të parespektuar, dhe joshemi të shkojmë në kundërsulm – me fjalë të vrazhdëta, dënime të ashpra, apo goditje fizike. Të mësuarit si ta përmbani reagimin e menjëhershëm dhe të formuloni përgjigje të përshtatshme jo vetëm që do të jap shembull të balancit për fëmijët por edhe do të krijojë dinamikë më të qetë dhe do t’ju parandalojë të mos thoni apo bëni gjëra për të cilat më vonë do të pendoheni.

6. Mbajeni mend që fëmijët janë të brishtë. Ne shpesh e harrojmë këtë, sepse ata janë shumë të qëndrueshëm. Ata qajnë, dhe pastaj ndalen. Minutën tjetër, apo orën e ardhshme, humori i tyre ka ndryshuar, dhe gjithçka është kthyer në normale, të paktën sipërfaqësisht. POr nëse ata përbrendësojnë përvoja të dhimbshme, kjo i ndryshon ata, dhe nëse e mohojnë sepse është shumë e dhimbshme për t’u procesuar, ata i pret një krizë më vonë në jetë. Fëmijët nuk tregojnë çdoherë kur ndjenjat e tyre për ju kanë ndryshuar, kur e keni humbur respektin e tyre apo e keni rrezikuar dashurinë e tyre për ju. Ata mund edhe të mos jenë të vetdijshëm për pikat e tyre të thyerjes, por i kanë, ashtu si të gjithë ne, kështu që kujdesuni nëse dëshironi që të mos thyhen.

7. Shmangeni përdorimin e fajit dhe turpit si pasojë. Faji dhe turpi janë çekani dhe sharra e veglave të prindërimit. Njëra i godet fëmijët në kokë, ndërsa tjetra i pret ato. Mos u ankoni për ndjenjat tuaja të lënduara nëse fëmija nuk dëshiron të bëjë gurabi apo të vijë për ta parë një ndeshje me ju. Mos flisni për atë se sa të turpëruar do të ndiheni nëse dështojnë në biologji, apo nuk arrijnë të kualifikohen në një skuadër. Dhe mos i kërcënoni me tmerre – si jeta në varfëri – nëse nuk i përmirësojnë notat. Ky lloj i sjelljes është krejtësisht i padobishëm. E godet vetbesimin e fëmijës suaj dhe e bën të jetë i varur ndaj miratimit të të tjerëve. Në vend të kësaj, ndihmojeni t’i kuptojë zgjedhjet e veta dhe pasojat reale të veprimeve të veta.

8. Mos e ngulfatni as mos e infantilizoni; nxiteni të bëhet i vet-mjaftueshëm. Neve na pëlqen të bëjmë gjëra për fëmijët tanë për t’ua lehtësuar jetën dhe për t’i ndihmuar të kenë sukses, dhe është detyra jonë të përgatisim një jetë të mirë për ta. Por ka dallim mes ofrimit të ndihmës dhe nxitjes së pafuqisë, mes servimit të ushqimit dhe mes copëtimit të tij dhe ushqyerjes së fëmijës. Mos lejoni që nevoja juaj për t’u ndjerë të nevojshëm – e cila mund të ketë rrënjë në fëmijërinë tuaj – të ndërhyjë në nevojën e fëmijës tuaj për të qenë i mbështetur në vete dhe i pavarur. Dhe mos i qëndroni mbi kokë, sepse kështu i jepni mesazhin fëmijës që ai nuk mund t’ia dalë pa ndihmën tuaj.

9. Përvetësojeni dhe modelojeni për fëmijën shprehinë e shëndoshë të zgjidhjes së konflikteve. Një dinamikë toksike dhe jofunksionale me partnerin tuaj do ta ndikojë aftësinë e fëmijës për të funksionuar në marrëdhënie me të rritur dhe do ta largojë atë nga shtëpia. Fëmija rritet duke u betuar se nuk do të ketë një marrëdhënie të tillë siç e ka parë tek ju, e në të njëjtën kohë ai nuk i ka shkathtësitë e nevojshme për ta shmangur një marrëdhënie të tillë. Nëse vetë marrëdhënia juaj është e paqëndrueshme, ose edhe më keq, e dhunshme, kërkoni ndihmë. Kjo jo vetëm që do të krijojë një mjedis më të sigurt për fëmijën tuaj, por edhe do të japë shembull për rëndësinë e zgjidhjes së problemeve në vend të injorimit apo fshehjes së tyre.

10. Praktikoni kujdesin për veten. Unë çdoherë kam besuar që shumë nga momentet tona më të këqija të prindërimit ndodhin kur jemi të lodhur, të stresuar, të sëmurë, të shpërqëndruar apo për çfarëdo arsye tjetër, të dëmtuar nga brenda. Kujdesi për veten – si ruajtja e shprehive të mira të të ushqyerit, ushtrimet e rregullta fizike, daljet, dhe gjetja e kohës për t’i bërë gjërat që ju pëlqejnë ju bën më të shëndetshëm si fizikisht ashtu edhe psiqikisht dhe ju jep më shumë energji për t’u marrë me fëmijët. Kjo e parandalon edhe ndjenjën pakënaqësisë për sakrificat që ju duhet t’i bëni për fëmijët. E ndjenja  pakënaqësisë është pararendëse e përbuzjes.

Ka shumë stile të ndryshme të prindërimit, dhe në mungesë të një doracaktu me udhëzime, secili nga ne e gjen rrugën e vet. Këshillat këtu kanë për qëllim t’i identifikojnë sjelljet e dobishme dhe ato të dëmshmet për fëmijët si dhe ju ndihmojnë të zhvilloni një marrëdhënie të shëndoshë me ta kur të rriten./supergrate.net/