Home>>Për gratë>>Gjuetia e trupit të grave
Për gratë

Gjuetia e trupit të grave

Linçimi dhe vrasja janë akti final. Fillon me djallëzinë, tjetërsinë dhe mbaron me zhdukjen trupore. Gjersa trupin e gruas e konsiderojmë element gjahu e gjaku, projektimi seksist dhe objektifikimi i saj është pararojë e një linçimi, vrasjeje dhe zhdukjeje trupore. Të fillojmë nga gjuha, që është pa kocka, por thyen kocka, për ta kuptuar përfundimisht se trupi nuk është realiteti përfundimtar i një qenieje

Nga Latif MUSTAFA

Në diskursin e përditshmërisë, yshtja dhe tendenca e burrave për të shkuar me gra manifestohet përmes një alegorie të sportit të dhunshëm siç është gjuetia. “Me gjuajt dikë” – është shprehja më standarde që dëgjohet. Burrat vihen në gjah të grave. Dekonstruktimi i një realiteti, i cili mbështillet në semantikën dhe shpjegimin alegorik të gjahut, shpërfaq trupin e gruas si objekt për t’u ndjekur, gjuajtur, rrjepur dhe krejt në fund, për t’ia ngrënë mishin asaj. Këtë të fundit e bëjmë me kafshët, të cilat i gjuajmë në pyll, por logjika semantike shpie drejt kafshorizimit, poshtërimit të trupit të gruas, dhe për më tepër, objektifikimit dhe burgosjes së saj në biologjiken. Portretizimi i tyre si “qingjesha”, “gazela”, “lepurushe”, dhe në anën tjetër, shënjimi semantik i burrit si “ujk”, “luan” dhe “bishë” është një lloj dikotomie binare, që ndërton një pushtet të plotfuqishëm mashkullor ndaj “trupit” të dobët, të brishtë dhe lehtë të pushtueshëm femëror.

Kështu projektohen edhe realitetet që tashmë janë konstruktuar thellë në nënvetëdijen njerëzore, dhe që më pas, shpërthejnë si skizofreni në yshtjen e përvetësimit, poshtërimit dhe vrasjes së grave, të cilat apriori janë objektifikime seksuale. Mbizotërimi i trupit të tjetrit është forma më e vjetër e perceptimit të tij si realitet përfundimtar i gjërave. Me trupin fillon, me trupin mbaron. Njashtu edhe në realitetet tona të paqëndrueshme politike – shoqëri të ndikuara nga spektakli dhe diktatura e imazheve pezhorative të gruas, në yshtje perpetuale të perceptimit seksist – morali dhe përgjegjësitë e dobëta publike po rrisin trendet e vrasjeve njerëzore dhe femicidit në veçanti.

Media, në kuptimin më gjithëpërfshirës të saj, vazhdon të ketë ndikimin kryesor në ndërtimin e imazhit të gruas. Imazhi i saj, në shekullin e XX, ka ndryshuar drastikisht krahasuar me epokat e më hershme. Në skulpturat e antikitetit, trupi i gruas është i skalitur në formën më të vërtetë të mundshme të njeriut të realtë, që jeton një jetë normale dhe të mbushur me brenga e halle. Në këto skulptura lehtësisht mund të dallohet trupi në formë të dardhës, me gjoks të ngushtë, gjinj kryesisht të vegjël, bel të zgjeruar e të fryrë, dhe kofshë të mëdha. Në këtë linjë diskutimi, edhe pikturat e mesjetës portretizojnë gruan ngjashëm sikur skulpturat e antikitetit. Meqë arti në letër duket të jetë më i detajuar në lojën e ngjyrave, celuliti dhe shtresat dhjamore në stomak dhe kofshë janë tejet të theksuara. Në përgjithësi, dominon bukuria e fytyrës tamam si prekje e bukurisë engjëllore.
Në kohërat moderne, manifestimet estetike të gruas lakuriqe janë krejtësisht ndryshe. Pamjet e tyre, larg çdo realiteti, i përngjasin fantazive më të thella njerëzore. Krahasuar me antikitetin dhe mesjetën, ku arti shquhet si “mimesis i physis-it” -apo kopje e të madhërishmes dhe harmonishmes natyrë – në epokën e modernitetit në poiesis-in e gruas, gjegjësisht në krijimin e imazhit të saj, merr pjesë në mënyrë aktive burri, si “arketip i qenies njerëzore”. Ngjyrat e ngrohta, si nuanca në spektrin e ngjyrave të pikturimit, të cilat i japin bojë epshit dhe zjarrmisë përreth, ose në raport me organet gjenitale të formësuarajashtë çdo realiteti të mundshëm, kanë krijuar imazhin seksist të gruas. Ky imazh është projeksion dhe farkëtim emocional i zhveshjes, zhvatjes dhe eksploatimit të trupit femëror si realitet përfundimtar dhe prevalim identiteti qeniesor.

Epoka bashkëkohore, nën ndikimin e hovshëm teknologjik, ka krijuar imazhe shumëfish më të gjalla dhe hiperale, që janë vështirë të shkëputshme dhe të krahasueshme me realitetin, dhe qëe kanë zhvendosur vëmendjen dhe aparatin konceptues njerëzor. Paçka se kohëve të fundit kemi shumë debate televizive ku debatohet për çështjet gjinore, lëvizjet feministe dhe avancimin e të drejtave të grave, ato në fund të ditës, nga tollovia konceptuale dhe debati zhurmues brenda studiove, fatkeqësisht, projektojnë imazhin e një gruaje të harlisur që s’e di se çfarë dëshiron nga vetja dhe shoqëria. Në anën tjetër, në formë binare, përmes spektakleve të ndryshme, njeriu vazhdon të ngufatet nga obsesioni zhvatës dhe skllavërues i trupit femëror. Mish, epsh dhe spektakël.

Trendi i rritjes së femicidit në Shqipëri është ndër më të lartët në kontinent. Rritja e këtij trendi në Kosovë është tepër shqetësuese, paçka jo se në shifra alarmante, por për një shoqëri të vogël si Kosova është shumë traumatike. Nuk mund të thuhet se imazhi i gruas si qenie lehtësisht e përvetësueshme dhe embizotërueshme, i krijuar nga media, është shkaku kryesor i femicidit. Faktorët socialë dhe ekonomikë janë faktorët kryesorë. Por, megjithatë, përdorimi i gjuhës në funksion të krijimit të realitetit dhe imazhit faktik si perceptim i vetëm dhe përfundimtar për një qenie të caktuar, janë domosdoshmërisht, faktorë që nxisin dhe shumëfishojnë rritjen e probabilitetit të ngacmimit, shantazhit dhe dhunës seksuale e fizike ndaj grave dhe fëmijëve.

Iniciativat me nuanca feministe liberale, nën kërkimin e forcimit të ligjit dhe efektshmërinë e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, siç duket dita-ditës, po e humbin fuqinë dhe interesin publik për shkak të inkoherencës dhe defunksionalizimit total të këtij zinxhiri pushtetesh. Në anën tjetër, përpjekjet e befta të disa feministëve radikal, të kolonizuara nga agjenda fondacionesh, dhe përpjekjet për rehatimin e xhepave, më tepër sesa të ndjekurit e ndonjë qëllimi për zgjim nga apatia publike, kushtrim dhe thirrje për një “commonsense”, përgjegjësi publike dhe detyrë intelektuale dhe njerëzore, disi kanë rrezikuar dhe kanë hedhur re “dyshimi” nëse kjo kauzë është e vërtetë dhe meriton të luftohet për të.

Vrasja është akti më i shëmtuar njerëzor. Më i hershmi. Biblik e Kuranor. Është pjesë e zhvillimit qytetërimor. Ta mohosh dhe ta ndalosh në tërësi është thjesht e pamundur dhe utopike. Por ama, para se të kalohet te vrasja e tjetrit – ka disa procese fillestare. Fillimi i çdo vrasjeje fillon me gjuhën për tjetrin. Kërkimin e djallit tënd tek tjetri. Tjetërsimi është proces psikik e kognitiv, ku Tjetri paraqitet si e kundërta e Unit. Dehumanizimi është faza parafinale. Linçimi dhe vrasja janë akti final. Fillon me djallëzinë, tjetërsinë dhe mbaron me zhdukjen trupore. Gjersa trupin e gruas e konsiderojmë element gjahu e gjaku, projektimi seksist dhe objektifikimi i saj është pararojë e një linçimi, vrasjeje dhe zhdukjeje trupore. Të fillojmë nga gjuha, që është pa kocka, por thyen kocka, për ta kuptuar përfundimisht se trupi nuk është realiteti përfundimtar i një qenieje./koha.mk/supergrate.net/