Home>>Për gratë>>Përfaqësimi i gruas në politikë mbetet i ulët
Për gratë

Përfaqësimi i gruas në politikë mbetet i ulët

Përfaqësimi i gruas në politikë mbetet i ulët. Kjo u dëshmua edhe në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në muajin tetor. Në fakt, partitë politike përmbushin obligimin ligjor për përpilimin e listave për këshilltarë/e por radhitja e saj çdo herë për gratë mbetet vetëm përqindje apo numër. Fatkeqësisht hapësira e veprimit të grave është një teren i ngushtë me shumë pak mundësi, e që ju krijon më shumë luftë brenda njëra-tjetrës për pozicionimin e tyre se luftë në drejtim të ndryshimit të ritmit dhe trendit të deritanishëm ku gratë më shumë përdoren si dekore në fushata. Mersiha Smailoviç, aktiviste e shoqërisë civile thekson se akoma vazhdon që brenda partive vendimet të merren nga një grup burrash, ndërsa mungesa e kulturës normale politike i demotivon edhe më shumë gratë për t’u përfshirë në politikë.

“Mungesa e një kulture normale politike është ajo që i demotivon gratë për t’u përfshirë në politikë. Brenda qarqeve ndërpartiake, tek partitë më të vogla politike apo partitë e komuniteteve më të vogla, vendimet merren në mbledhje joformale, në orët e vona, jashtë selisë së partisë. Gratë që nuk do ta pranojnë atë mënyrë të punës nuk e njohin as procesin e vendimmarrjes, por atyre iu kumtohet veëtm vendimi përfundimtar. Gratë nga partitë politike që duan të nominohen për poste më të larta, duhet të jenë “ideale” për sa i përket karakteristikave fizike dhe të gjitha detajeve të tjera të jetës së saj private”, thotë Smailoviç.

Smailoviç shton se komentet në rrjetet sociale janë brutale ndaj grave, andaj edhe përshëndeti edhe fushatën e nisur pak para zgjedhjeve lokale me qëllim parandalimin e dhunës ndaj grave në politikë. Sipas saj janë pikërisht gratë ato të cilat duhet ta luftojnë për më shumë përfshirje në politikë.

“Ajo që gratë mund të bëjnë ndërkohë është të mbështesin gratë politikane me komente inkurajuese edhe jashtë fushatave zgjedhore”, shtona aktivistja Mersiha Smailoviç.

Edhe ish anëtari i KSHZ-së, Enver Salihi i cili ka bërë madje edhe një hulumtim të detajuar në lidhje me përfaqësimi i grave në zgjedhjet lokale mundet të arrihet vetëm me kuota të garantuara. Në hulumtimin që ka bërë special për portalin AJO.mk, Salihi ndër të tjerash zgjidhjen e sheh tek ndryshimet ligjore që duhet të bëhen në të ardhmen.

“E patjetërsueshme është që të intervenohet me ligj që 40% e kandidatëve për kryetar komune të jenë nga gjinia femërore, si një mundësi për ta përmirësuar këtë përfaqësim. Duke e pasur parasysh të kaluarën tonë dhe nga faktet është e patjetërsueshme të kemi masa që garantojnë një përfaqësim të barabartë e jo të lihet në vullnetin e lirë i cili nuk ka ekzistuar asnjëherë përveçse në mënyrë deklarative”, thotë Salihi.

Nga zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në muajin tetor, Qyteti i Shkupit dhe Nagoriçani i Vjetër do të jenë Komunat e vetme që do të udhëhiqen nga gratë. Nga 81 komuna të vendit sipas përqindjes kjo situatë pasqyron vetëm 2.5% të udhëheqjes së grave në nivel lokal.

Në këtë temë, Ajo.mk gjatë ditëve në vijim do të publikoj hulumtimin e ish anëtarit të KSHZ-së, Enver Salihi që i dedikohet pikërisht përfaqësimit të grave në zgjedhjet e fundit lokale 2021. /Ajo.mk/supergrate.net/