Home>>Për gratë>>Pse nuk jam feministe
Për gratë

Pse nuk jam feministe

nga Z. Macha
përshtatja në shqip supergrate.net

Hyrje
“Nuk je feministe!” thonë me habi. “Por pse?”

Gjatë moshës 14-18 vjeçe jam identifikuar si feministe (Tani jam 24 vjeçe, pra kam qenë një jo-feministe/egalitariane për gjashtë vite). E kam konsideruar veten feministe “liberale”, dikush që ka besuar në barazi gjinore. Feminizmin e kam parë si sinonim të baragjisë gjinore, dhe kam qenë pjesë e një klubi feminist. Megjithatë, nuk pajtohesha me shumë elemente të feminizmit: Konsideroja që feminizmi i sotëm i “valës së tretë” është shpesh ekstrem dhe misandrik, nuk besoja vërtetë në “shkatërrimin e patriarkatit” apo se shoqëria jonë është shtypëse ndaj grave; nuk pajtohesha me konceptin e “kulturës së përdhunimit” sepse asnjëherë nuk kam menduar që shoqëria jonë e normalizon/glorifikon përdhunimin; nuk i shihja rolet gjinore si “konstrukte shoqërore” por si rezultat të dallimeve biologjike dhe nxitjeve shoqërore, dhe definitivisht nuk kisha apati ndaj burrave.

Çdoherë e kam parë feminizmin si lëvizje të grave për fuqizimin e grave, dhe kam menduar se kjo thjesht donte të thoshte t’i trajtosh të dyja gjinitë me të drejta të barabarta. E kam mbështetur atë që e kam konsideruar “feminizëm të valës së parë dhe të dytë”: të drejtën e votës, të drejtën e pronës, pagën e barabartë.

E kam lexuar “Si të jesh Grua” të Caitlin Moran, “Eunuku femër” të Germaine Greer, dhe “Mizogjinitë” të Joan Smith. Kam lexuar rreth historisë së feminizmit. E konsideroja çasjen time ndaj feminizmit si mendjehapur dhe jo-ekstreme. Grupi feminist të cilit i përkisja mbështeste disa gjëra me të cilat unë personalisht nuk pajtohesha. Njëri nga qëllimet e tyre ishte të ndalohej shitja e revistave pornografike në vendshitjet e gazetave në vendin tonë. Unë personalisht nuk pajtohesha sepse mendoja (dhe mendoj) që kjo është zgjedhja e shitësit dhe ndalimi i saj do të ishte autoritarian dhe i panevojshëm.

Problemet me feminizmin

1) Feminizmi është një lëvizje e ndarë në shumë fraksione, dhe vet termi ka domethënie të ndryshme për secilin që e përdorë. Për një person do të thotë thjesht barazi, për dikë tjetër do të thotë luftë ndaj patriarkatit, për të tjerë do të thotë fuqizim i grave. Disa feministë e mbështesin prostitucionin si zgjedhje personale të gruas, përderisa të tjerë thonë që prostitucioni i kthen gratë në objekte seksuale. Disa feministë thonë që të jesh amvise dhe nënë me orar të plotë është “shtypëse”, përderisa të tjerë thonë që është zgjedhje personale.

Për arsye se feminizmi ka aq shumë variacione dhe definicione, nuk mund ta mbështes, sepse shpesh është e vështirë ta di se çfarë po mbështes. Më duket më e lehtë ta quaj veten egalitariane/humanitariane duke qenë se besoj në barazinë e mundësive për të gjithë njerëzit pa dallim gjinie, race, seksualiteti etj.

2) Feminizmi është lëvizje kolektiviste që ka tendencë të shkojë dorë më dorë me idealet socialiste/komuniste/marksiste të revolucionit dhe pronës shtetërore. Unë nuk e mbështes këtë shkollë mendimi sepse besoj në lirinë e individit. E përkrah kapitalizmin me reforma sociale (demokracinë sociale): shëndetësinë publike, arsimin pa pagesë, shkolla publike, burgje publike, ndihmë sociale për ata që kanë nevojë, etj.

3) Të gjitha të drejtat që kemi në shoqëri (vota, paga e barabartë) për të cilat feminizmi deklaron që ka luftuar, në fakt nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me feminizmin.

Dallimi në paga është demantuar disa herë. Gratë nuk paguhen më pak për të njëjtën punë dhe ligjet për paga të barabarta kanë qenë në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA që nga vitet 1960. Një profesoreshë e ekonomisë në Harward dhe  Christina Hoff-Sommers, akademike (që e përshkruan veten si feministe) kanë folur për dallimin në paga. Ky dallim ka të bëjë më shumë me faktin që gratë punojnë orare më të shkurtëra, zgjedhin punë që paguhen më pak dhe parapëlqejnë punë me orar të shkurtuar kur vendosin të nisin një familje.

4) Një pjesë e madhe e filozofisë feminste është “shkatërrimi i patriarkatit”, e gjersa nuk mund të flas për vende të tjera, Mbretëria e Bashkuar nuk është patriarkat. Nuk ka asnjë të drejtë ligjore që një burrë e ka e një grua të mos e ketë. Në fakt, Mbretëria e Bashkuar është me gjasë një nga vendet më të mira në botë për të qenë grua: kemi kontraceptivë pa pagesë falë NHS, vajzat në MB kanë më shumë gjasa të kenë sukses në shkollë dhe të shkojnë në universitet sesa djemtë, etj.

5) Feminizmi bashkëkohor e ka shfaqur veten si radikal dhe misandrik, i injoron çështjet e burrave, gjersa në të njëjtën kohë deklaron se mbështet “barazinë gjinore”. Një shembull i mirë janë slloganet si “the future is female” (e ardhmja është femër) – dëshmi kjo që feminizmi mainstream dëshiron supremaci femërore, jo barazi.

Në vend që të flasë për të drejta reale të grave në të gjithë botën, sikur mutilimi gjenital i femrave, martesat e fëmijëve, apo përdhunimi i grave në Indi dhe Lindje të Mesme, feminizmi perëndimor zgjedh t’i shërbejë elitës perëndimore dhe të ankohet për gjëra me të cilat mund të merremi në nivel social, jo politik. Shembull i këtillë është “catcalling” (ngacmimet verbale në rrugë), diçka me të cilën gratë duhet të jenë të afta të merren. Qeveria nuk ka nevojë të përfshihet duke e mbajtur nën kontroll këtë sjellje. Plus, nuk mendoj që gratë janë aq fragjile sa nuk mund të zgjedhin si të përgjigjen ndaj kësaj dukurie në rrugë.

6) Dallimet gjinore mes burrave dhe grave janë normale dhe të natyrshme, jo “konstrukte shoqërore të patriarkatit”. Në vitin 2006, neuropsikiatri Louann Brizendine shkroi “Trurin femëror”, një libër që flet për dallimet neurologjike mes burrave dhe grave. Ky është një libër shumë pro-femëror sepse flet për disa nga cilësitë e veçanta të neurologjisë te gratë, duke përfshirë nivelet e larta të komunikimit dhe empatisë. Për fat të keq, libri ka marrë shumë komente negative në Goodreads nga feministë që deklarojnë që ky shkencëtar (që ka grumbulluar dy dekada hulumtime) po përhap ideale “seksiste”.

Kjo për arsye se feministet i shohin dallimet gjinore si “konstrukte shoqërore për t’i shtypur gratë”. Po, shoqëria ka sforcuar disa stereotipe gjinore të dëmshme, por këto stereotipe zakonisht janë nxjerrë nga një dallim ekzistues biologjik, dhe në ditët e sotme gjendja nuk është e këtillë sepse njerëzit e kuptojnë më mirë psikologjikë njerëzore falë përparimeve në shkencë.

Feminizmi tenton t’i fryjë dallimet gjinore biologjike jashtë proporcioneve e më pas t’i përdorë këto për ta fajësuar shoqërinë dhe patriarkatin e keq. Është fakt shkencor që gratë kemi më shumë estrogjen në trutë tonë, dhe për shkak të cikleve tona të ndërlikuara menstruale, përjetojmë më shumë luhatje emocionale, që natyrshëm na bën më të ngarkuara emocionalisht. Feministët më pas do të thonë që “shoqëria thotë se gratë janë shumë emocionale”, që është një interpretim jashtëzakonisht simplistik dhe shtrembërim i së vërtetës. Për ironi, shumë feministe (përkatësisht ato ekstremiste) shfaqin sjellje tepër emocionale dhe irracionale kur dikush sfidon pikëpamjet e tyre (një taktikë e përdorur zakonisht nga manipuluesit).

7) Feminizmi perëndimor historikisht ka qenë shumë bardhë-centrik dhe i ka injoruar gratë e varfëra, gratë e klasës punëtore dhe ato me ngjyrë. Feminizmi ndërlidhës ka barazuar një çështje shumë të ndërlikuar dhe serioze të racës dhe e ka vendosur atë në të njëjtën kategorinë me gjininë, e që nuk është e njëjtë. Në SHBA, afrikano-amerikanët kanë qenë me të vërtetë të shtypur deri kohëve të fundit (dhe akoma luftojnë për të drejtat e tyre në shumë mënyra).

Fakti që feministet e bardha, perëndimore anglo-amerikane i kanë barazuar përpjekjet reale të grave afrikano-amerikane me të tyret ka krijuar shumë vështirësi për gratë afro-amerikane dhe komunitetet britaneze me ngjyrë. Në MB dhe SHBA, njerëzit me ngjyrë janë ndër më të varfërit e popullatës dhe fëmjijët me ngjyrë kanë më së shumti gjasa të rriten nga nëna të vetme. Që nga feminizmi i viteve 1960-70, ka pasur rritje të numrit të burrave me ngjyrë që kanë refuzuar marrëdhënie me gra me ngjyrë, gjë që ka çuar në stereotipin e “gruas së mllefosur me gjyrë” dhe çmendurinë e “jungle fever” ku më shumë burra afrikano-amerikanë kanë zgjedhur të jenë në marrëdhënie me gra të bardha dhe kanë refuzuar ato me ngjyrë.

Sigurisht që nuk ka asgjë gabim me marrëdhëniet ndër-racore, por ideja është që për shkak të përpjekjeve të feminizmit për ta vendosur veten në kategorinë e njëjtë me racizmin (përmes teorisë së ndërlidhshmërisë), feministët kanë përfunduar duke kontribuar për një ndarje mes grave dhe burrave të zi. Pjesa më e trishtë është se gratë e zeza duhet të qëndrojnë me solidaritet pranë burrave të zi karshi racizmit, në vend që të kalojnë në skuadër me gratë e bardha të mllefosura të klasës së mesme që nuk e çajnë kokën për burrat e zi apo për mënyrën se si shoqëria amerikane i ka trajtuar të zinjtë. (Madje edhe lëvizjet e hershme të grave si lëvizja për të drejtën e votës kanë pasur qëndrime raciste/injorante ndaj njerëzve të zi.) Kjo është arsyeja pse shumë gra të zeza kanë zgjedhur “womanism” në vend të feminizmit, që ka qenë më shpirtëror dhe ka shfaqur edhe solidaritet me burrat e zi në vend që ta bënte luftën e gruas së bardhë të pasur.

Feminizmi perëndimor krejtësisht i injoron fiset matriliniale të Afrikës së para kolonializmit (si shembulli i Ganas), të cilët kanë qenë shumë më të fokusuar shpirtërisht. Në shoqëritë e lashta afrikane, burrat dhe gratë kanë punuar dhe janë dashur së bashku. Si burri ashtu edhe gruaja kanë qenë të fuqishëm. Por feminizmi, duke qenë lëvizje lobuese eurocentrike e grave të bardha, nuk e vret mendjen për këtë, e në vend të kësaj preferon të na servojë një narrativë që i pikturon gratë si “të shtypura që nga fillimi i kohës” dhe nevojtare që feminizmi të na shpëtojë neve grave nga vetja jonë (shumë ngjashëm me katolicizmin fundamentalist që deklaronte se të gjithë njerëzit janë mëkatarë që duhet të pendohen dhe të shpëtohen nga flakët e ferrit). A është çudi që të gjitha këto janë taktika që përdoren nga narcizoidët dhe psikopatët?

Përfundim

Përfundimisht, unë e shoh feminizmin si një lëvizje radikale, kolektiviste, ndarëse e grave të bardha, që e përdorë seksizmin dhe teoritë bazuar në emocion e jo në shkencë. Unë 100% e mbështes fuqizimin e gruas, humanitarianizmin dhe barazinë gjinore, por nuk e mbështes feminizmin dhe në mënyrë aktive i refuzoj idealet kolektiviste.

Mendoj që shoqëria do të ishte më mirë pa feminizmin, por si dikush që e praktikon lirinë e shprehjes, besoj që feministët kanë një zë të nevojshëm në këtë botë (ashtu si çdokush tjetër).

 

Mendoj që feminizmi duhet të mbahet jashtë politikës mainstream. Për fat të mirë, në politikën e Mbretërisë së Bashkuar feminizmi nuk është prevalent, dhe hapësirat feministe zakonisht janë universitetet ose qarqet e artit. Unë nuk kam problem me këtë, dhe po të ishte feminizmi vetëm një nënkulturë e përqafuar nga disa gra në qarqet e tyre private, atëherë nuk do të kishte nevojë të flitet kundër tij.

Për fat të keq, feminizmi është gjithkund në mediat e mëdha, dhe shumë të famshëm të rangut botëror flasin në favor të feminizmit (Oprah, Beyonce, Adele, Emma Watson, Taylor Swift, Lena Dunham, Jennifer Lawrence, janë vetëm disa prej tyre). Ata që në mënyrë aktive e refuzojnë feminizmin shihen me përçmim dhe demonizohen nga mediat. Thjesht kërkojeni ndonjë grua që thotë se nuk është feministe dhe do ta shihni se në çfarë mënyrë përbuzëse është shkruar për të. (Për shembull: Lana Del Rey, Bridget Bardot, Tash Sultana, Kelly Clarkson, Kaley Cuoco, Erin Pizzey, Shailene Woodley, Judge Judy.) Në jetën time personale çdoherë jam trajtuar mirë si grua. Nuk i kuptoj gratë që flasin se kanë përjetuar “seksizëm të vazhdueshëm”. Sigurisht që kam pasur përvoja të këqia me burra, ka pak gra që nuk e kanë pasur, por përvojat e mia të këqia me gra (që nga bullizmi në fëmijëri deri te marrëdhëniet toksike shoqërore mes grave) janë shumë më shumë se përvojat e keqe me burra. E vetëm se kam pasur disa përvoja të këqia me burra, nuk do të thotë se të gjithë burrat janë të këqinj. (Sinqerisht, shumica e burrave që kam takuar kanë qenë të qetë, të shoqërueshëm dhe me sens të mirë humori.

Shoqëria më ka trajtuar mirë mua si grua, dhe nuk shoh asnjë arsye të shëndoshë pse të jem feministe./supergrate.net/