Home>>Gra të forta>>Dikur viktimë e luftës, sot nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Bogujevci: Kur u kandidova për deputete, vendosa vathët e mamit
Gra të forta

Dikur viktimë e luftës, sot nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Bogujevci: Kur u kandidova për deputete, vendosa vathët e mamit

Është e ulur në ulësen e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, ka vetëm 36 vjet, me 7 vjet e ka përjetuar ndjenjën e të qenit nga vendet e treta, duke u strehuar si azilante në Suedi, me 13 vjet, trupin e saj e shpuan 16 plumba, me sy pa vdekjen familjarëve, po me 13 vjet e përjetoi statusin e refugjates në Angli, ka gjashtë operacione, krahun e majtë nuk e ka plotësisht funksional, deri sa mbërthen kopsat e një këmishe apo të një fustani i merr më shumë kohë se sa grave të tjera, i rekomandohet edhe një operacion i radhës, dhe përderisa udhëheqë seancat e Kuvendit të Kosovës, fshehtas merr një jastëk me vete, që të pushojë dorën, sepse nëse nuk e praktikon një metodë të tillë, trupi i saj nuk e përballon një lodhje nga dhimbja që ia shkakton krahu, dhimbje që ia kujton luftën, serbet, vdekjet e më të dashurve dhe sfidat që ia sollën po ata serb, që i gjuajtën me mitralozë në shtëpinë ku ishte rritur Saranda Bogujevci, shtëpi që e kishte si një idil të fëmijërisë, e që tenton ta ruaj me atë dashuri, sikurse para luftës.

Ardianë Pajaziti

Përderisa më pret në takim, sytë e saj janë plot buzëqeshje, qëndrimi i saj është plot forcë, dhe mënyra se si ulet tregon shumë për këtë grua, një mënyrë e uljes sikurse forcon kontaktin me tokën, me rrënjët, tokë në të cilin prehet nëna, dy vëllezërit e saj, gjyshja e familjarë të tjerë, por që nëpërmjet këtij kontakti, ajo sikur lëvizë edhe njëherë prej karriges, për të treguar se sa e gatshme është që të punojë për këtë vend.

Më lutë që ta kursejë me pyetjet, është kohë e fundvitit, dhe sipas saj nuk dëshiron që të ngarkohet edhe më shumë. I premtova që do të jem e kujdesshme, por më pas e kuptova se nuk më duheshin edhe aq shumë pyetjet. Saranda nuk po ndalej, sikur kishte pas nevojë që këtë rrëfim me shumë dhimbje, ta tregojë edhe një herë, edhe dhjetë herë, edhe 1000 herë, edhe… Është rrëfim që edhe nëse nuk e flet, e ka brenda saj, brenda takimeve me miq, brenda takimeve të punës, brenda ëndrrave.

Fëmijërinë e vlerëson si pjesën më të bukur të jetës së saj, periudhë që kur flet, i shkëlqejnë edhe sytë. Kur flet për atë periudhë, sikurse ngjallet shpirti fëmijëror brenda saj, dhe energjia e saj është dukshëm më e theksuar.

“Si fëmijë kam qenë shumë e lumtur. Jam rritë në bashkësi familjare, unë si fëmijë mbaj mend që ka jetuar me ne edhe stërgjyshi, gjyshi, gjyshja, babi, mami, unë me dy vëllezërit e mi, axha me gruan dhe fëmijët e tyre, dhe një axhë tjetër që ishte më i ri. Ishte një familje që na ofronin shumë dashuri, dhe na plotësonin kushtet me aq sa mundin për atë kohë”, tregon Saranda, e cila për të treguar se sa ishin të lidhur si familje, tregon edhe detajin se vetëm për të qenë me një klasë me vajzën e axhës, vajzën e dajës, djalin e hallës, ajo kishte hyrë në shkollë një vit më herët, dhe klasën e parë e kishte nisur me vetëm gjashtë vjet.

Por lumturia e shkollës për këta fëmijë, sikurse për shumë nxënës të asaj periudhe sikur po zbehej. Saranda bashkë me nxënësit e tjerë, qysh në klasën e parë patën fatin që hyrjen në objekt shkollor ta përjetojnë vetëm sa për tu njoftuar me njëri tjetrin, por më pas, ata u detyruan të vazhdojnë shkollimin në një kopsht të fëmijëve, që Saranda edhe sot e quan foshnjore, për shkak se serbet në atë kohë nxorën nga objektet shkollore të gjithë fëmijët shqiptarë.Si fëmijë shkuam të jetonim në Suedi, ishim pa fat, nuk na dhanë leje qëndrimin

E vogël fare, menjëherë pas gjysmëvjetorit të parë, babai i saj i nxjerrë nga puna, në atë kohë inxhinier në Obiliq, kishte marrë vendim që bashkë me familjen të migronin në Suedi.

Saranda Bogujevci, si e vogël nuk e kishte të qartë se pse po i bënin ato lëvizje, veç mban mend se atje qëndruan një vit e gjysmë, dhe përgjatë kësaj kohe kishte shkuar edhe në shkollë.

“Nuk e kam kuptuar pse jemi në Suedi, nuk e kam kuptuar as pse u kthyem prapë në Kosovë. Isha e vogël dhe nuk i kuptoja këto lëvizje”, rrëfen Saranda për KultPlus, por se ajo dhe familja e saj janë trajtuar si një familje nga vendet e treta, e ka të freskët edhe sot.

“Shkonim në shkollë, por në fakt nuk ishte shkollë e rregullt. Na mësonin në kampin e azilantëve, dhe më kujtohet se si na patën dërguar njëherë në një shkollë të rregullt, na dërguan që të shohim se si funksionon një shkollë e rregullt”, kujton Saranda atë periudhë, ku krejt familja ishte e izoluar brenda një kampi të azilantëve, prindërit pa të drejtë pune, dhe pas një viti e gjysmë, kujton Saranda që i kthyen sërish në Kosovë, duke mos ia dhënë lejen e qëndrimit.

“Fatkeqësisht ishim të pa fat” fshan Saranda, e cila me këtë fshamë, sikur e thotë me zë, se gjithçka do të ishte ndryshe, nëse shteti suedez do ti lejonte qëndrimin.

Saranda më pas tregon se si janë kthyer sërish në Podujevë, se si ka vazhduar shkollën po në të njëjtën klasë, dhe për përpjekjet e familjes që ta bënin sa më të lehtë situatën e vështirë që po krijohej në Kosovë, përpjekje që e vlerëson edhe sot kjo grua, që përgjatë karrierës politike ka udhëheqë me Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, për një mandat ka qenë deputete, dhe tash ka pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës.

Dhe përderisa biseda shkonte e ofrohej në datën 28 mars të vitit 1989, datë që edhe ka ndryshuar gjithçka brenda kësaj familje, Saranda sikur e ndjen se po vjen një moment më i vështirë për të mbledhë forcat për këtë pjesë të rrëfimit. Përvjelë mëngët e këmishës, një këmishë ngjyrë hiri, e ku zbulohen shenjat e plagëve të luftës, që i ka mjaftë të dukshme në dorën e majtë.

Ishte vetëm 13 vjeçe, dhe në shtëpinë e Bogujevcëve nuk ishte vetëm familja e saj, por edhe familje të tjera që kishin ardhë për tu strehuar, me idenë se janë më të sigurte brenda qytetit.

Bombardimet kishin filluar më datën 24 mars, dhe pas asaj date edhe lëvizjet e policëve dhe ushtarëve serb ishin më të shpeshta dhe më agresive.

“Pas fillimit të bombardimeve, situata kishte fillu me ndryshu, ishte shumë më e tensionuar. Edhe pse, në ishim shumë të entuziazmuar që kishin filluar bombardimet”, kujton Saranda.

Përpos entuziazmit të fillimit të bombardimeve, Saranda e kujton edhe periudhën e vështirë të asaj kohe, ku kujdesi duhej të ishte shumë më i shtuar.

Kujton kohën se si kanë fjete me tesha, në tokë, ku nuk ka pas drita, ku nuk kanë guxuar të lëshonin ujin, dhe se kur ka pas rrymë, me një shpejtësi të madhe kanë përgatitë ushqim për krejt ata anëtarë, për të vazhduar drejt një të nesërme enigmë.

Ndalesa e një autoblinde para dyerve të shtëpisë së familjes Bogujevci, ku ishte strehuar edhe familja Duriqi, por edhe të tjerë, kishte vënë në alarm gratë dhe fëmijët, dhe nga shtëpia që ishte buzë rrugës, ishin tërheqë në shtëpinë që gjendej në fund të oborrit të kësaj familje. Saranda thotë se lëvizjet e serbeve i shihnin edhe në shtëpitë e fqinjëve, pasi që oborret nuk kishin mure, dhe se mund të shihnin se si policët nxirrnin familjet shqiptare nga shtëpitë e tyre.

Jam shtirë si e vdekur, po trupat që kam pas përpara, i kam pa krejt, bashkë me Gencin, djalin e axhës

“Ushtria hyri në shtëpi, na gjetën në shtëpinë e fundit. Ata nuk patën hy prej derës kryesore, po prej oborreve të kojshive. Po nëpër oborre na kanë nxjerrë në rrugë, dhe prej aty na kanë dërgu në drejtim të stacionit të policisë. Na kanë lëvizë ashtu si turmë, përderisa lëviznim, herë e kam pas afër mamin, e herë gjyshen, dhe ashtu duke na lëvizë prapë na kanë kthy në shtëpi, aty ka ndodhë”, tregon Saranda, e cila për një moment heshtë.

Me 16 plumba në trup, dhe me vetëm 13 vjet, Saranda Bogujevci pa gjithçka nga afër. Gjyshen dhe njërin nga vëllezërit e kishte parë se janë të vrarë, e mamin dhe vëllain tjetër i kishte pas prapa, dhe nuk e kishte kuptuar menjëherë se çfarë kishte ndodhë me ta. Bashkë me djalin e axhës, Gencin, që në atë kohë ishte vetëm gjashtë vjeç, kishin parë gjithçka.

“Jam shtirë si e vdekur, po trupat që kam pas përpara, i kam pa krejt, bashkë me Gencin, djalin e axhës. E kemi pa gjyshen, e kam pa vëllain e vogël, vajzën e axhës, renë e hallës së babit, djalin e madh të Enver Duriqit, kurse mami dhe vëllai i madh kanë qenë prapa meje, për ata nuk e kam ditë nëse kanë vdekë, apo kanë shpëtu. Pasi ka përfundu lufta e kam mësu që edhe mami edhe vëllai i madh nuk kanë shpëtu” tregon Saranda Bogujevci, e cila përderisa kujton këto pamje, shtrëngon duart me njëra tjetrën dhe vazhdon rrëfimin se tek në korrik të vitit 1999, kanë arrite me e gjete varrin se ku ishte varrosur nëna dhe vëllai i madh. Në mbrëmjen e 28 marsit, në shtëpinë e familjes Bogujevci u vranë 16 persona, prej foshnjave e deri në 70 vjeç, po vuajtja fizike dhe shpirtërore për të mbijetuarit veç sa kishte filluar.

Vetëm vajza e axhës Liria ishte dërguar për shërim në Beograd, kurse të tjerët në Prishtinë. Përgjatë krejt periudhës së bombardimeve, fëmijët e mbijetuar të familjes Bogujevci: Saranda, Fatosi, Jehona dhe Genci po trajtoheshin në spitalin me personel serb, me ndonjë infermiere të paktë shqiptare, e me ndonjë rom, ku këta të fundit shërbenin në sanitari.

Përderisa e kujton qëndrimin në spital të Prishtinës, Saranda rrëfen për një porosi të një infermiereje shqiptare, që më vonë e ka kuptuar mesazhin e saj. Ajo i kishte thënë që mos të fliste asgjë, sepse të gjithë e kuptojnë gjuhën shqipe.

“Ishim të rrezikuar, sepse si personel, para medieve na paraqitnin si fëmijë që kemi pësuar nga bombardimet e NATO-s, është edhe një video ndërkombëtare se si na raportojnë se jemi fëmijë të lënduar nga bombardimet e NATO-s. Por duke refuzuar që të deklarojmë ashtu, por në anën tjetër ishim shumë në rrezik, ne zgjodhëm të thoshim se, ‘kemi dëgjuar një zhurmë, dhe më nuk mbajmë në mend asgjë’”, tregon Saranda.

Fëmijët e mbijetuar të familjes Bogujevci, të gjithë me plagë të rënda, deri në përfundim të luftës kanë qëndruar në spitalin e Prishtinës, në shumicën e kohës me kujdes jo adekuat, e ku sipas Sarandës, ka pas një numër të vogël të personelit që kanë pas kujdes profesional.

Dhe pas përfundimit të luftës, këta fëmijë, jo të kuruar dhe me shumë probleme fizike, kthehen në shtëpinë e tyre në Podujevë, pikërisht në shtëpinë ku ndodhi edhe tmerri i 28 marsit. Saranda kujton se para se të shkojnë në shtëpi, familjarët e tyre nga rrethi i gjerë, kanë shkuar dhe e kanë ambientuar shtëpinë, sikurse që janë kujdes për këta fëmijë, për ti ushqyer e larë.

“Në familjen tonë, shkuan gratë dhe fëmijët, ne që mbijetuam mbetëm me baballarët, dhe në gjendjen që ishim, me shumë plagë, na duhej kujdes intensiv, por që nuk na mungoi, sepse na ndihmoi familja”, thotë Saranda, e cila kujton se si pasojë e plumbave të shumtë, me vite të tëra nuk ka qenë e aftë që të pastrohet, e edhe kur ka filluar, pastrimin mund ta bënte vetëm me një dorë.

“Më është dashtë shumë kohë se si të mësohem që të pastrohem me një dorë, si të mësohem të funksionoj me një dorë. Por me kohë e kam kriju pavarësinë, dhe shumë punë jam mësuar ti kryej vetëm me dorën e djathtë”, vazhdon rrëfimin Saranda, e cila është falënderuese për shtetin anglez, shtet që e strehoi në shtator të vitit 1999.

Nuk mund të mbërthej kopsat dhe nuk mund të pastrohem me dorën e majtë

“Në shtator të vitit 1999 kemi shku në Angli, unë me babin dhe axha me fëmijët. Mua dhe Jehonën, vajzën e axhës, na kanë dërgu drejt në spital, dy muaj nuk kemi dalë hiq nga spitali, sepse gjendja jonë nuk ishte e mirë. Deri më tani i kam gjashtë operacione në pjesën e dorës, ku operacioni i parë ka zgjatë për 13 orë”, vazhdon rrëfimin Saranda, e cila kujton se edhe pse kanë dalë prej spitalit, jeta e tyre ishte bërë imune me personel mjekësor. Kishin filluar shkollimin, po orari i tyre i shkollës ishte i përshtatur edhe me disa orë fizioterapi, e kthim të herëpashershëm të intervenimeve.

“Deri në vitin 2003 ka vazhduar kjo rutinë e intervenimeve, pastaj edhe në vitin 2008 e kam pas një operim, kemi takime me mjekët në baza vjetore, dhe së fundi më është propozuar edhe një operim tjetër, por jam duke e mendu, proces shumë i mundimshëm, dhe nuk di a ti nënshtrohem apo jo”, thotë Saranda, e cila nga të gjithë fëmijët e familjes Bogujevci, ajo e specifikon Lirinë, si më të lënduarën. E plagosur në fyt, për tetë muaj është dashur të ushqehej direkt prej stomakut, por që sipas Sarandës, tashmë e ka kaluar. Kurse ato që vuajnë edhe më tej problemet shëndetësore, janë Saranda me Jehonën, dhe që të dyja nuk i kanë në funksion të plotë duart e majta.

“Ka plot gjëra që nuk mund ti bëj, po nuk e kam kufizuar vetën për këtë shkak, nuk hezitoj as të kërkoj ndihmë”, thotë Saranda, e cila kujton edhe për vonesat që i shkaktojnë kopsat e kamishave dhe fustaneve, por edhe udhëheqja e seancës, e që ka gjetë një metodë, ajo merr me vete një jastëk, që ta çlodhë dorën, përderisa seancat e Kuvendit të Kosovës janë të gjata.Nuk jemi aty ku kemi pas mundësi me qenë, por unë luftoj për fuqizimin e këtij vendi

Dhe fëmijët e familjes Bogujevci, që panë vdekjen me sy, përpos që u përballën në gjykatë me vrasësit, edhe pse të vegjël në moshë, ata, mbi supet e tyre morën edhe një mision tjetër. Masakrën në shtëpinë e familjes Bogujevci vendosën ta prezantojnë edhe nëpërmjet një ekspozite, ekspozitë që fillimisht ishte hapë në Prishtinë, e më pas është prezantuar në Tiranë dhe në Beograd.

Saranda thotë se kjo ide ishte e krejt familjes, po ka rastisë që vetë Saranda të prezantohet në emër të familjes.

Në vitin 2011, fëmijët e familjes Bogujevci këtë ekspozitë e kanë prezantuar në Prishtinë, në vitin 2012 në Tiranë, në vitin 2013 në Beograd, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i atëhershëm Ivica Daciq. “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, është ekspozitë që i ka katër pjesë: dhomën e ndejës, trungun familjar, spitalin dhe gjykimin.

“Është një tregim për ne, se si kemi jetu si familje, çka ka ndodhë gjatë luftës, përjetimet që i kemi pas në spital, dhe pjesëmarrja jonë nëpër disa gjykime”, thotë Saranda Bogujevci, e cila këtë ekspozitë e ka bërë sa ishte duke jetuar në Angli, dhe kjo ekspozitë kishte bërë që vizitat ti bënte më të shpeshta dhe më të gjata në Kosovë.

“Për shkak të ekspozitës, më shpesh vija në Kosovë, edhe pse, edhe para ekspozitës, bashkë me familjen kemi ardhë çdo verë. Por pas këtyre qëndrimeve më të gjata, pata fillu me mendu, se nëse është e mundshme me u rikthy në Kosovë. Megjithatë u ktheva pa plan, në fund të vitit 2013, i kisha disa projekte që edhe ishin arsye pse isha në Kosovë. Lëviza Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet lokale në Prishtinë, dhe në atë kohë, Blerta Zeqiri u pat emru drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, më pyeti nëse mund ta ndihmoj, dhe pranova me idenë se do të rri prej katër deri në gjashtë muaj, e në fakt, në maj të këtij viti që po hyjmë, më bëhen tetë vjet”, tregon Saranda Bogujevci, e cila prej atëherë është aktive në shoqërinë kosovare, por edhe me një mision më të veçantë, që ta bëj Kosovën ashtu si do të dëshironin të rënët e familjes së saj, por edhe të gjithë të rënët e Kosovës.

“Nuk jemi aty ku kemi pas mundësi me qenë, por unë luftoj për fuqizimin e këtij vendi, për një shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë, drejtësi, sepse, ne si popull më së miri e dimë se si është të bëhet e padrejtë”, porositë Saranda.

Sot udhëheqëse e seancave të Kuvendit të Kosovës, e dje viktimë e luftës e me shumë vdekje brenda familjes, për të kujtuar më të dashurit e tyre, ajo shpesh vesh rrobet e mamit të saj, sidomos në raste më solemne.

“Kam vathët dhe unazën e mamit, që i ka pas në trup po atë ditë kur e kanë vra. Vathët dhe këmishën e mamit, i kam edhe në fotografinë kur jam kandidu për herë të parë si deputete, në vitin 2017, edhe në seancën e fundit e pata një shall të mamit. I përdori gjësendet e mamit, sepse më ka inkuraju shumë. Për të, shkollimi ka qenë me shumë prioritet, sepse e ka ditë se çfarë do me thënë vajzë në shoqërinë tonë, dhe jo rastësisht unë sot e kuptoj dhe mundohem me avoku për çështje të barazisë gjinore, për shkak se unë jam rritë me një familje, ku roli i vajzave dhe grave ka qenë shumë i rëndësishëm”, përfundon Saranda Bogujevci, e cila insiston që krejt kjo cka ka ndodhë me shqiptarët, asesi nuk duhet harruar, por insiston edhe në faktin tjetër se duhet të punohet shumë, për të ardhmen ë të rinjve të këtij vendi.Duke e bërë jetën e vetme në Prishtinë, përderisa pjesa tjetër e familjes vazhdon të jetoj në Angli, Saranda Bogujevci vazhdon punën e saj si nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, por e njëjta është edhe shumë aktive në shumë organizime kulturore në vend. Historinë e familjes së saj e mban vath në vesh, dhe përpos medieve vendore, përjetimin e saj shumë shpesh e dërgon edhe në mediet më prestigjioze. Saranda Bogujevci vazhdon të jetë zëri i vuajtjeve të popullit shqiptar, por më shumë zëri i të sotmes, ashtu sikurse janë edhe dy duart e saj, e majta me të shkuarën, dhe e djathta me të sotmen. / KultPlus.com/supergrate.net/