Home>>Për gratë>>Gratë dijetare të hadithit
Për gratë

Gratë dijetare të hadithit

Historia ka arritur të regjistrojë në faqet e saj vetëm një pjesë të vogël të aktiviteteve akademike, së paku para kohëve moderne, ku gratë kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe tepër aktiv, krah për krah me burrat. Përjashtim të veçantë këtu, bën shkenca e hadithit. Islami (ndryshe nga Krishterimi) kurrë nuk pranoi t’i mveshë gjininë Zotit (1) dhe asnjëherë nuk caktoi ndonjë elitë drejtuese mashkullore, si urë lidhëse mes krijesës dhe Krijuesit. E nisi jetën me një siguri të paqtë, që garanton se burrat dhe gratë janë të pajisur me role harmonizuese se sa thjesht identifikuese. Në Islam nuk ka mbizotërim shpirtëror bazuar në parimin e të qenit mashkull (2). Për pasojë, bashkësia myslimane ishte më se e lumtur për t’ia besuar Zotit çështjet e barazisë. Vetëm kjo sqaron faktin, se përse Islami ka nxjerrë një numër të paparë grash dijetare myslimane, duke lënë mënjanë përkufizimet klasike perëndimore dhe ku shtëpia e Islamit është ngritur edhe nëpërmjet dëshmisë dhe gjykimit të tyre të drejtë.

Që në fillimet e Islamit, gratë kanë luajtur një rol tepër të rëndësishëm në ruajtjen dhe përhapjen e hadithit dhe ky rol nuk u ndërpre, por vazhdoi në gjithë shekujt që vijuan. Në çdo periudhë të historisë islame, ka ekzistuar një numër i konsiderueshëm grash, të njohura në fushën e transmetimit, të cilat janë parë me admirim dhe respekt të madh nga vëllezërit e tyre në fe. Të dhëna për biografinë e shumë prej tyre janë regjistruar në fjalorët biografikë. Gjatë kohës së profetit alejhi selam, shumë gra nuk kanë qenë shembull thjesht për çuarjen përpara të shumë traditave, por kanë qenë edhe transmetuese të këtyre traditave tek motrat dhe vëllezërit e tyre në besim.(3) Pas vdekjes së profetit alejhi selam, shumë gra sahabe, veçanërisht gratë e tij, qenë një burim i pashtershëm diturie, prej të cilave shumë sahabë kërkonin udhëzime, ku dhe arritën t’i marrin të gatshme gjërat, që ato kishin grumbulluar në thesarin e çmuar, nga shoqërimi i gjatë me profetin alejhi selam.

Figura si Hafsa, Umu Habiba, Umu Seleme, Mejmuna dhe Aishja, janë të njohura për cilindo studiues të hadithit, si transmetueset më të hershme dhe më në zë (4). Në veçanti Aishja, është një nga figurat më të njohura në të gjithë historinë e literaturës së hadithit, jo thjesht si një nga transmetueset më të hershme, por dhe si më e kujdesshmja në transmetim. Po ashtu edhe në periudhën e kalifëve, gratë zinin vend të rëndësishëm si transmetuese. Hafsa, vajza e Ibn Sirinit (5), Umu Darda e Reja, (81 h./700) dhe Amra bin Abdurrahman, përbëjnë vetëm një pjesë të grave hadithologe me peshë të asaj periudhe.

Umu Darda u vlerësua shumë nga Ijas ibn Muavija, një haditholog i njohur i asaj kohe dhe gjykatës me aftësi dhe merita të padiskutueshme. Ajo mbahej prej tij si hadithologja më e aftë e asaj kohe, përfshirë këtu edhe mjeshtra të hadithit si Hasan al-Basri dhe Ibn Sirini (6). Amra cilësohej si një figurë tepër e shquar për hadithet e transmetuara nga Aishja. Një nga studentët e saj, Ebu Bekr ibn Hazmi, gjykatësi i famshëm i Medines, u urdhërua nga kalifi Umer ibn Abdul Aziz, të shkruante të gjithë hadithet e njohura nëpërmjet saj (7). Pas tyre Abida Madanija, Abda Beshir, Umu Umer Thakafija, Zejnebja, mbesa e Ali ibn Abdullah ibn Abasit, Nafisa bint al-Hasan bint Zejd, Hadixhe Umu Muhamed, Abda bint Abdu Rrahman dhe shumë të tjera prej sojit të brishtë, mbajtën leksione publike në fushën e hadithit. Këto gra të përkushtuara u përkisnin prejardhjeve të ndryshme, duke dëshmuar kështu se as klasa dhe as gjinia nuk ishin pengesa për të ngjitur shkallët e diturisë.

Për shembull, Abida, që e nisi jetën si skllave nën pronësinë e Muhamed ibn Jezidit, mësoi një sërë hadithesh me mësuesit e Medinës. Mjeshtri ia dorëzoi atë Habib Dahunit, hadithologut të madh të Spanjës, në vizitën e tij në qytetin e Shenjtë gjatë kohës së Haxhit. Dahunit i bëri shumë përshtypje përgatitja e saj, kështu që i fali dhe lirinë, ku më andej u martua me të dhe e solli në Andaluzi. Thuhet se ajo ka transmetuar 10000 hadithe nga mësuesit e Medines. (8)

Zejnebe bint Sulejman (142/759), ndryshe nga Abide, lindi princeshë në një familje të lartë. Babai i saj ishte kushëriri i Safahit, themeluesi i dinastisë Abasite dhe kishte qenë guvernator i Basras, Omanit dhe Bahreinit gjatë dinastisë së Mensurit (9). Zejnebja, e cila pati një shkollim të mirë, arriti të marrë master në hadith, fitoi famë si një ndër hadithologet më të mira të kohës, dhe numëronte si nxënës së saj shumë burra të aftë, të cilëve u dha dhe ixhazen (vërtetim, dëshmi) personale. (10)

Ky bashkëpunim i grave me burrat në kultivimin e traditës profetike vazhdoi deri në kohën e përpilimit të antologjive të mëdha të hadithit. Një vëzhgim i teksteve vë në dukje, se një pjesë të mirë e përpiluesve më të rëndësishëm të hadithve, që nga ata të kohëve më të hershme, arritën t`i merrnin këto hadithe nga gratë dijetare. Çdo përmbledhje madhore përmend emra të shumë grave si transmetuese të drejtpërdrejta të autorit. Kur këto vepra arritën të përpiloheshin, ishin po këto gra hadithologe, që i përvetësuan dhe që mbajtën leksione në klasa me një pjesëmarrje mjaft të gjerë, të cilëve do t’u jepnin edhe ixhazen e tyre personale.

Në shekullin e katërt ne shohim Fatime bint Abdurrahman (312 h./924), e njohur si Sufije për nga shkalla e lartë e devotshmërisë; Fatimen (mbesën e Ebu Daudit të Sunenit të famshëm); Amat Uahid (377 h./987), vajza e juristit të njohur, Muhalim-it; Umu Fath Amat al-Selam (390 h./999), bija e gjykatësit të njohur Ebu Bekr Ahmedit; Xhumua bint Ahmed dhe shumë gra të tjera, klasat e të cilave ishin përherë të mbushura me një auditor mjaft të ngritur (11). Tradita islame e studimit të hadithit nga gratë vazhdoi edhe në shekullin e pestë dhe të gjashtë pas hixhrit.

Fatima bin al-Hasan bin Ali ibn al-Dakak al-Kurejshi, u dallua jo vetëm për devotshmërinë dhe mjeshtërinë në kaligrafi, por edhe për njohuritë e saj në fushën e hadithit dhe për cilësinë e isnadeve që dinte (12). Akoma më e dalluar ishte Karima al-Maruazija (463 h./1070), që njihej në atë kohë si më e besueshmja në sahihun e Buhariut. Ebu Dhari i Heratit, një ndër dijetarët më të njohur të kohës, e vlerësoi aq shumë besueshmërinë e saj, saqë i këshilloi studentët e tij të mos e studionin sahihun me askënd tjetër përveç asaj, nisur nga dija e lartë që ajo zotëronte. Kësisoj, ajo paraqitet si figurë qendrore në transmetimin e këtij teksti me rëndësi vendimtare në Islam (13). Godziher shkruan: “Emri i saj përmendet me një shpeshtësi të paimagjinueshme për ixhazen, në tregimin e tekstit të këtij libri” (14). Ndër studentët e saj mund të përmendim Hatib Bagdadin (15) dhe Humejdiun (428 h./1036-488 h./1095). (16).

Përkrah Kerimas, një numër tjetër grash hadithologe zënë një vend të rëndësishëm në transmetimin e teksteve Sahihi (17). Mes këtyre mund të përmendim në veçanti Fatime bint Muhamed (539 h./1144); Shudahn ‘shkrimtaren’ (574 h./1178), dhe Sit Uzaran bint Umer (716 h./1316). (18) Fatima e transmetoi librin nga hadithologu i madh Seid Axhar dhe fitoi titullin Musnida Isfahan (autoriteti më i besueshëm i hadithit në Isfahanë) nga specialistët e hadithit. Shuhda zotëronte njohuri të thella në kaligrafi dhe qe një hadithologe mjaft e njohur. Biografët e përshkruanin atë si “kaligrafiste tepër e besueshme në hadith” dhe e mbanin si krenaria e grarisë. Stërgjyshit të saj i vinte mjaft ndorësh të bënte gjilpëra, duke marrë kështu dhe llagapin ‘al-Ibri’, gjilpëraxhiu. Por babai i saj, Ebu Nasr (506 h./1112) ishte fort i lidhur pas hadithit dhe arriti të studiojë me një sërë dijetarësh në këtë fushë. (19) Në bindje dhe pasion që ai kishte ndaj sunetit, ai vendosi t`ia jap vajzës së tij, duke i dhënë një shkollim të shëndoshë akademik, duke u siguruar që ajo të studionte me hadithologë, emri i të cilëve ishte mjaft i dëgjuar. Ajo u martua me Ali ibn Muhamed, një figurë tepër e rëndësishme, i interesuar në fushën e letërsisë, që me vonë u bë dhe një shoqërues me shumë vlera i kalifit Muktabinit, ku më pas hapi dhe një kolegj e një vendtakim Sufi, të cilëve iu përkushtua me gjithë zemër. Por me gjithë këtë që bëri, gruaja e tij njihej më shumë se ai; ajo fitoi famë në fushën e hadithit dhe njihej për cilësinë e isnadëve (20). Leksionet e saj rreth sahihut të Buhariut dhe përmbledhjeve të tjera të haditheve, ndiqeshin nga masa të gjera studentësh dhe në sajë të reputacionit që gëzonte, disa persona arritën të dëshmojnë rrejshëm se kanë qenë dishepuj të saj. (21)

Po ashtu, e njohur për njohuritë në sahihun e Buhariut ishte edhe Sitt Uzara, e cila përveç përvetësimit të ligjit islam, njihej edhe si “musnida e kohës”. Ajo mbajti leksione nga Sahihu dhe vepra të tjera të Damaskut dhe Egjiptit (22). Orët e mësimit të sahihut ishin të ngjashme me ato të mbajtura nga Umu Khatar Amat al-Kalid, që mbahej si e fundit dijetare e madhe në fushën e hadithit në Hixhaz. (23) Një figurë tjetër në lidhje me librin e Buhariut ishte Aishe bint Abdul Hadi. (24)

Përveç këtyre grave, që duken tepër të specializuara në sahihun e madh të imam Buhariut, kishte dhe të tjera, ekspertiza e të cilave përqendrohej në tekste të tjera. Këtu mund të përmendim Umu Khajr Fatima bint Ali (532 h./1137), dhe Fatime al-Shahrazurija, të cilat mbanin leksione në sahihun e Muslimit (25). Fatime Xhauzdanija (524 h./1129) u transmetoi nxënësve të saj tri muxhamet e Tebaraniut. (26) Zejnebja e Haranit (68 h./1289), leksionet e së cilës tërhoqën masa të gjera studentësh, u mësoi musnedin e Ahmed ibn Hambelit, mbledhësit më të famshëm të haditheve. (27) Xhuarije bint Umar (783 h./1381), dhe Zejneb bint Ahmed ibn Umar (722 h./1322) që kishte udhëtuar jashtë mase në ndjekje të hadithit dhe kishte mbajtur leksione si në Egjipt ashtu edhe në Medine, arriti të transmetojë tek nxënësit e saj përmbledhjet e Darinit dhe Abd ibn Humejdit, ndërsa neve na është thënë, se studentët e saj vinin nga vise të largëta, për të ndjekur leksionet që ajo mbante. (28) Zejnebe bint Ahmed (740 h./1339), e njohur në përgjithësi si bint al-Kemal, arriti të sigurojë një barrë deveje me diploma; mbajti leksione për musnedin e Ebu Hanifes, për shemailin e Tirmidhiut dhe për Shahr Maani al-Athar të Tahaviut, pjesën e fundit të të cilit e lexoi me tjetër grua hadithologe, Axhiba bint Ebu Bekr (740 h./1339). (29) Goldziher thotë se: “Tek ajo bazohet saktësia e kodeksit Gotha…në të njëjtin isnad një numër i konsiderueshëm grash të ditura janë përmendur si të përfshira në këtë punë”. (30) Me të dhe me shumë gra të tjera, udhëtari i famshëm Ibn Batuta, studioi hadithet gjatë qëndrimit të tij në Damask. (31)

Historiani i famshëm i Damaskut, Ibn Asakir, që tregon se ka studiuar me mbi 1200 burra dhe 80 gra, kishte marrë ixhazen nga Zejnebe bint Abdurrahman për Muatanë e imam Malikut. (32) Xhelaludin al-Sujuti studjoi risalen e imam Shafiut me Haxhar bint Muhamed. Afif al-Din Xhunejd, një haditholog i shekullit të nëntë pas hixhrit, lexoi sunenin e Darimit me Fatime bint Ahmed ibn Kasim.(34)

Hadithologe të tjera të rëndësishme përfshijnë Zejnebe bint al-Sharin (524 h./615-1129h./1218).. Ajo studioi hadithin nga një sërë hadithologësh tepër me zë, duke mbajtur më pas leksione para shumë studentësh – disa prej të cilëve fituan famë – përfshirë këtu ibn Kalikanin, autori i mirënjohur i fjalorit biografik Uafajat al-Ajn.(35) Një tjetër ishte Kerima e Sirisë, (641 h./1218), e përshkruar nga autorët biografikë si njohësja më e madhe e hadithit në kohën e saj. Ajo mbajti leksione në shumë vepra të hadithit nga një sërë mësuesish. (36) Në veprën e tij El-Darar el-Kerima (37), Ibn Haxheri jep disa të dhëna të shkurtra biografike për afro 170 gra të njohura të shekullit të VIII, pjesa më e madhe e të cilave ishin hadithologe dhe me një pjesë të mirë të të cilave vetë autori kishte studiuar.(38) Disa prej këtyre grave u njohën si hadithologet më të mira të asaj kohe.

Për shembull, Xheurije bint Ahmed, të cilën e kemi përmendur edhe më sipër, studioi një sërë veprash të hadithit me dijetarë dhe dijetare, dha mësim në shkollat më me zë të asaj kohe dhe vazhdoi më pas të mbante leksione të rëndësishme në një sërë disiplinash islame. “Disa nga mëusuesit e mi – thotë Ibn Haxheri, – dhe shumë nga bashkëkohësit e mi, kanë ndjekur leksionet e saj”.(39)

Aisha bint Abdul Hadi (723 h./816), e përmendur dhe kjo më sipër, për një kohë relativisht të gjatë ishte një nga mësueset e Ibn Haxherit, si dhe tregohet se shumë studentë merrnin udhëtime të gjata për t’u ulur pranë saj dhe për të mësuar të vërtetat e fesë.(40) Sit Arabi ka qenë mësuese e hadithologut të mirënjohur, El-Irakut (742 h./1341) dhe e shumë të tjerëve, që përfituan goxha nga dituria e saj.(41)

Dakika bint Murshid (746 h. /1345), një tjetër hadithologe e famshme, ishte nga ato që mori udhëzime nga një sërë grash të tjera të njohura.

Të dhënat për gratë e njohura hadithologe të shekulit të XIX paraqiten në punën e Muhamed ibn Abdurrahman El-Sakauit, me titull El-Dau el-Lami, që është një fjalor biografik i personave të famshëm të shekullit të XIX. (42) Një burim tjetër është Muxham al-Shujuk i Abdul Aziz ibn Umer ibn Fad, i përpiluar në vitin 861 pas hixhrit dhe që jep të dhëna biografike për më shumë se 1100 mësues, duke përfshirë mbi 130 gra dijetare, me të cilat ai kishte studiuar. (43) Disa prej këtyre grave u cilësuan si më të saktat dhe më të diturat në fushën e hadithit dhe shumë prej dijetarëve të mëdhenj nga brezat e ardhshëm morën mësim prej tyre.

Umu Hani Mejrem (778 h.-871/1376 h.-1466), për shembull, e mësoi Kuranin përmendësh që kur ishte fëmijë, mësoi në të gjitha shkencat islame, në të cilat e shkolluan, duke përfshirë këtu teologjinë, historinë dhe gramatikën. Më pas ajo udhëtoi për të studiuar në fushën e hadithit me hadithologët më të mirë të Kajros dhe Mekës. Ajo ishte e njohur gjithashtu edhe për aftësitë në fushën e kaligrafisë, zotërimin e gjuhës arabe, talentin në poezi, zbatimin me përkushtim të detyrave fetare (ka kryer haxhin jo më pak se 13 herë). Biri i saj, i cili u bë një dijetar e dëgjuar i shek. XX, shfaqte tepër admirim për të dhe iu përkushtua deri në fund të jetës. Ajo ndoqi një program tepër të zgjeruar mësimor në universitetin më të madh të Kajros, duke ju dhënë ixhaze shumë dijetarëve, madje vetë Ibn Fahdi, studioi me të një sërë veprash teknike të hadithit. (44)

Bashkëkohësja e saj siriane, Bei Katun (864 h./1459), pasi studioi hadithin me Ebu Bekr el-Mizin dhe një sërë hadithologësh të tjerë dhe pasi mori ixhazen e mjeshtrave më të mëdhenj të hadithit, përfshirë këtu burra dhe gra, filloi të mbante leksione për lëndën në fjalë në Siri dhe Kajro. Na është transmetuar, se mësimdhënia ishte kënaqësi për të.(45)

Aisha bin Ibrahim (760 h.-842/1358 h.-1438), e njohur në qarqet akademike si Ibnat el-Sharaihi, e cila si shumë gra të tjera studioi në fushën e hadithit në Damask dhe Kairo (dhe në disa vende të tjera), mbajti leksione, të cilët dijetarë me zë nuk patën ndonjë vështirësi për t’i ndjekur. (46)

Umu al-Khajr Saida e Mekës, mori udhëzime në fushën e hadithit nga hadithologë të vendeve të ndryshme, duke fituar një status prej dijetareje për t’u lakmuar vërtet.(47)

Pra, për aq sa mund të nxirret nga tekstet burimore, përfshirja e grave në qarqet dijetare në fushën e hadithit dhe në disiplina të tjera islame në përgjithësi, duket se ka rënë ndjeshëm duke filluar që nga viti i dhjetë i hixhrit. Në libra si el-Nur el-Safiri i Ajdarausit, Kulasat el-Akhbar i Muhibbit dhe el-Suluh el-Uabila të Muhamed ibn Abdullahut (që janë fjalorë biografikë të personave të famshëm të shekullit të X, XI dhe XII pas hixhrit), gjenden mjaft rrallë emra grash të njohura hadithologe. Megjithatë, do të ishte një mendim i gabuar, nëse do të mendonim se gratë e humbën interesin e tyre në lidhje me këtë fushë. Disa hadithologe, që u bënë mjaft të njohura në shek. IX, jetuan edhe në të dhjetin dhe vazhduan t’i shërbejnë akoma sunetit. Esma bint Kemal el-Din (904 h./1498) pati tepër ndikim tek sulltanët dhe ndihmësit e tyre, të cilët shpeshherë morën këshilla prej saj – nga ku na është transmetuar, se ata ia pranuan përherë këshillat. Ajo mbajti leksione në fushën e hadithit dhe u mësoi grave një sërë shkencash të tjera islame. (48) Aisha bint Muhamed (906 h./1500), që u martua me gjykatësin e famshëm Muslih Din, u mësoi hadithe shumë studentëve dhe u emërua pedagoge në fakultetin Salihija të Damaskut. (49) Fatima bint Jusuf e Alepos (870 h./1465 -925 h./1519), njihej si një nga dijetaret më të mira të kohës.(50) Umu Khajri i dha ixhazen një haxhiu në Mekë në vitin 938 h./1531. (51)

Hadithologja e fundit me një dituri të një niveli tepër të lartë, të cilën e njohim dhe me emrin Fatime Fudalije, njihej po ashtu si dijetarja Fudalije. Ajo lindi para fundit të shekullit të XII islam dhe shumë shpejt arriti të përvetësojë artin e kaligrafisë dhe shumë shkenca të tjera islame. Ajo shfaqi interes të veçantë në fushën e hadithit, lexoi shumë në lidhje me lëndën dhe fitoi famë si një ndër hadithologet më të mira të asaj kohe. Nga fundi i jetës jetoi në Mekë, ku ngriti një bibliotekë publike tepër të pasur. Në qytetin e Shenjtë, mësimet e saj i ndiqnin shumë hadithologë të dëgjuar, të cilët prej saj morën dhe çertifikata. Prej tyre mund të përmedim Umer Hanefiun dhe dijetarin Muhamed Sali. Ajo vdiq në vitin 1247 h./1831 (52).

Përgjatë gjithë historisë së përvetësimit të diturisë nga pala femërore në Islam, shihet qartë se gratë e përfshira në fushën e dijes nuk e kufizuan studimin e tyre në fushën e hadithit vetëm me interesin personal, apo me trajnimin privat të një pakice individësh, por qenë studente dhe mësuese në të njëjtën kohë në institucionet publike të shkollimit, krah për krah me vëllezërit e tyre në fe. Shumë dorëshkrime i paraqesin ato si studente në leksioneve me pjesëmarrje masive, por dhe si mësuese që kanë mbajtur leksione të rregullta nga ana e tyre. Për shembull, në faqet 238-240 të çertifikatës Mashikat ma el-Tarik të ibn Buhariut thuhet, se një numër i konsiderueshëm grash ndoqën një kurs prej 11 leksionesh, i cili pati një audiencë prej më shumë se 500 studentësh në xhaminë e Umerit në Damask. Në faqen 40 të të njëjtit dorëshkrim, në një çertifikatë tjetër përmenden shumë studente, emrat e të cilave specifikohen, që ndoqën një kurs tjetër prej 6 leksionesh mbi librin e mbajtur nga ibn Sarafiu, në një klasë prej më shumë se dyqind studentësh në Alepo, në vitin 736 h./1336. Edhe në faqen 250, ne zbulojmë se një hadithologe e famshme, Umu Abdullah, mbajti një kurs prej pesë leksionesh mbi librin para një klase me mbi 50 studentë të përzier, në Damask në vitin 837 h./1433. (53)

Shumë shënime nga dorëshkrimi Kitab Kafa të Khatib Bagdatit dhe nga një përmbledhje e shumë traktateve në hadith tregojnë, se Naima bin Ali, Umu Ahmed Zejneb bint Maliki dhe gra të tjera hadithologe kanë mbajtur leksione për këta dy libra, në disa raste vetëm e në disa raste bashkë me hadithologë të tjerë, në fakultetet më me peshë si Azizija dhe Dajija, para shumë studentëve. Disa prej këtyre leksioneve janë ndjekur edhe nga Ahmedi, biri i gjeneralit të famshëm, Salahudinit. (54)/supergrate.net/

Fusnota1. Maura O’Neill, Women Speaking, Women Listening (Maryknoll, 1990CE), 31: “Muslimanët nuk përdorin kurrsesi një Zot mashkullor as si një mjet i vetëdijshëm apo i pavetëdijshëm për ndërtimin e roleve gjinore”. 2. Për të pasur një panoramë më të përgjithshme për çështjen e statusit të gruas në Islam, shihni librin e M. Boisers, L’Humanisme de l’Islam (3rd. ed., Paris, 1985CE), 104-10. 3. El-Khatib, Sunna, 53-4, 69-70. 4. Shihni më sipër, 18, 21. 5. Ibn Sa’d, VIII, 355. 6. Sujuti, Tadrib, 215. 7. Ibn Sa’d, VIII, 353. 8. Maqqari, Nafh, II, 96. 9. Wustenfeld, Genealogische Tabellen, 403. 10. El-Khatib al-Baghdadi, Tarikh Baghdad, XIV, 434f. 11. Ibid., XIV, 441-44. 12. Ibn al-Imad, Shsadharat al-Dhahah fi Akhbar man Dhahah (Cairo, 1351), V, 48; Ibn Khallikan, no. 413. 13. Maqqari, Nafh, I, 876; citohet në Goldziher, Muslim Studies, II, 366. 14. Goldziher, Muslim Studies, II, 366. “Në fakt, në ixhazen e transmetimit të Buhariut, emri i Kerima al- Marvazijes, haset shpesh si person i ndërmjetëm në zinxhirin e gjatë të transmetimit”. (ibid). 15. Yaqut, Mu’jam al-Udaba’, I, 247. 16. COPL, V/i, 98f. 17. Goldziher, Muslim Studies, II, 366. 18. Ibn al-Imad, IV, 123. Sitt al-Wuzara’ ishte dhe një juriste mjaft e dëgjuar. Një herë atë e ftuan në Kajro për të dhënë një fetva për një çështje, që kishte futur në pështjellime juristët e atjeshëm”. Ibn al-Athir, al-Kamil (Cairo, 1301), X, 346. 19. Ibn Khallikan, no. 295. 20. Goldziher, Muslim Studies, II, 367. 21. Ibn al-Imad, VI. 40. 22. Ibid., VIII, 14. 23. Ibn Salim, al-Imdad (Hyderabad, 1327), 36. 24. Ibn al-Imad, IV, 100. 25. Ibn Salim, 16. 26. Ibid., 28f. 27. Ibn al-Imad, VI 56. 28. ibid., 126; Ibn Salim, 14, 18; al-Umari, Qitf al-Thamar (Hyderabad, 1328), 73. 29. Goldziher, Muslim Studies, II, 407. 30. Ibn Battuta, Rihla, 253. 31. Yaqut, Mu’jam al-Buldan, V, 140f. 32. Yaqut, Mu’jam al-Udaba, 17f. 33. COPL, V/i, 175f. 34. Ibn Khallikan, no.250. 35. Ibn al-Imad, V, 212, 404. 36. Kjo është një vepër, mjaft dorëshkrime të së cilës janë ruajtur nëpër librari, butuar në Hajderabad në vitin 1348-1350. Vëllimi i gjashtë i ibn al-Imadit, Shadharat al-Dhahab, një fjalor i madh biografik i dijetarëve të mëdhenj muslimanë, që nga shekulli i parë gjer në shekullin e dhjetë hixhri, bazohet shumë në këtë vepër. 37. Goldziher, i përshtatur me një mjedis ekskluzivisht mashkullor të universiteteve evropiane të shekullit të nëntëmbëdhjetë, u befasua shumë nga skena e paraqitur nga ibn Haxheri. Cf. Goldziher, Studime Islame, II, 3″67: Kur lexojmë veprën biografike madhështore të ibn Hasher Eskalanit, mahnitemi nga numri i grave të cilave autori u ka kushtuar artikuj më vete.” Ibn Hajar, al-Durar al-Karima fi Ayan al-Mi’a al-Thamina (Hyderabad, 1348-50), I, no. 1472. 38. Ibn al-Imad, VIII, 120f. 39. Ibind., VI, 208. Na është thënë, se al-Iraki (dijetari më me njohuri në hadithet që Gazali ka përdorur në veprën e tij Ihja Ulum al-Din), i mundësoi të birit që të ishte nxënësi i saj. 40. Ekziston një përmbledhje në (C. Brockelmann, Geschichte der arabischen Litteratur, botim i dytë nga Abd al-Selam Umer ibn al-Shemmai dhe një dorëshkrim i mangët nga Umer ibn al-Shemmai që ruhen në librarinë O.P në Patna (COPL, XII, no.727). 41. Ibid. 42. Sakhawi, al-Saw al-Lami li-Ahl al-Qarn al-Tasi (Cairo, 1353-55), XII, no. 980. 43. Ibid., no. 58. 44. Ibid., no. 450. 45. Ibid., no. 901. 46. al-Aydarus, al-Nur al-Safir (Baghdad, 1353), 49. 47. Ibn Abi Tahir, see COPL, XII, no. 665ff. 48. Ibid. 49. Goldziher, Studime islame, II, 407. 50. al-Suhuh al-Wabila, see COPL, XII, no. 785. 51. COPL, V/ii, 54. 52. Ibid., V/ii, 155-9, 180-208. Për disa dorëshkrime, sqaruese dhe instruktive në veçanti, në librarinë Zahirija të Damaskut, shihni artikullin e Abd al-Aziz al-Mejmeni në veprën al-Mabahith al-Ilmiyya (Hyderabad: Da’irat al-Ma’arif, 1358), 1-14.