Home>>Gra të forta>>Punoi shtatë vite në filmin ‘Vera Andrron Detin’, regjisorja Krasniqi: Historia e Verës, e ngjashme me atë të nënës sime
Gra të forta

Punoi shtatë vite në filmin ‘Vera Andrron Detin’, regjisorja Krasniqi: Historia e Verës, e ngjashme me atë të nënës sime

Flonja Haxhaj

Tashmë nuk është çudi që Kosova po prodhon filma që po korrin suksese të mëdha në festivale prestigjioze në botë pavarësisht pengesave që e përcjellin.

Një ndër filmat që bëri bujë qysh në fillim është edhe ‘Vera Andrron Detin’ me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar nga Doruntina Basha.

Ky film ka si personazh kryesor Verën, përditshmëria e qetë e e së cilës, çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hap rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

‘Vera Andrron Detin’ pati premierën botërore në Festivalin e Venecias, ku u bë filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që u paraqit në këtë festival, e ku rrëmbeu dy çmime.

E fillet e këtij filmi dhe rrugëtimin e deritanishëm, regjisorja Krasniqi i ka shpalosur në një intervistë për KultPlus.

KultPlus: Si erdhi deri tek ideja për krijimin e filmit ‘Vera andrron Detin’?

Kaltrina Krasniqi: “Vera Andrron Detin” është skenar i Doruntina Bashës. Ne vitin 2014, ajo më ofroi të lexoj një draft të hershem i cili më la shumë përshtypje. Personazhi kryesor, Vera, një grua në të 60-tat e hershme e barte rrëfimin. Qasje e pazakonztë, sespe grate e ketij brezi rrallë janë në role kryesore por edhe dytësore, jo vetëm në film por edhe letërsi, teatër e jetë. Vëzhgimi i detajshëm dhe shume i shtresuar i një gruaje të kësaj gjenerate më ka bërë të vendos të punoj këtë film. Sepse permes saj, shihej një Kosovë tmerrësisht komplekse dhe e pashqyrtuar.

KultPlus: Filmi ‘Vera Andrron Detin” shfaq një grua që lufton një realitet të vrazhdë të pabarazisë gjinore të rrënjosura thellë në shoqëri edhe në ditët e sotme, e gjithë kjo histori a është e bazuar në një ngjarje të vërtetë apo është e gjitha e imagjinuar?

Kaltrina Krasniqi: Siç thashë edhe më herët, ky është një skenar origjinal i Doruntina Bashës. Sidoqoftë, të gjithë ne kemi edhe motivet tona personale të cilat na shtyjnë të hulumtojmë dhe krijojmë. Lufta e Verës për pronën e saj familjare është e ngjashme me atë te nënes sime, të shumicës së grave në shoqërinë tonë, por edhe grave globalisht. Në hulumtimet e mia gjatë kohës që punoja në film kam lexuar shumë raporte e libra të cilat trajtojne gratë dhe ekonominë dhe tregojne dinamikat e trashëgimisë ne nivel global. Gratë globalisht trashëgojne shumë me pak, është vetëm rreth 8% e pasurisë planetare që u takon atyre. Andaj jemi të varfëra, sepse vetëm varfërinë e trashëgojmë.

KultPlus: Cilat janë sfidat që keni hasur gjatë realizimit të këtij filmi?

KultPlus: Më janë dashur rreth shtatë vite ta përfundoj këtë film dhe sfida kryesore ka qenë financat por gjithashtu edhe pengesat që Kosova vazhdon t’i ketë në arenën ndërkombëtare, e sidomos atë evropiane, në vjeljen e fondeve. Ne ende nuk njihemi dhe nuk jemi antarë të shumë organizatave evropiane që mbështesin kineastët, kjo ka të bëjë kryesisht me statusin fragjil politik qe Kosova vazhdon ta ketë ndërkombëtarisht.

KultPlus: Sa ka qenë e vështirë gjetja e emrave që do të luajnë në filmin ‘Vera andrrron Detin”?

KultPlus: Gjenerata e re dhe e mesme e aktorëve në Kosovë është shumë diverse dhe vibrante. Andaj, gjetja e Alketa Sylaj (vajzës së Verës) nuk ka qenë e veshtirë por definitivisht një nga gjetjet e mia më të veçanta në këtë projekt. Në anën tjetër, gjetja e aktores për rolin kryesor, ka qenë shumë sfiduese, sepse ne viset shqipfolëse, gratë e brezit të Verës nuk janë stimuluar të merren me arte dhe sidomos jo me aktrim. Pas nje viti te gjate ne casting e njoftova Teuta Ajdini Jegenin dhe perveç se profili i saj profesional dhe personal rezononte me kryepersonazhen time, ajo gjithashtu kishte gatishmërinë të mesojë gjuhën e shenjave, gjuhë kjo amëtare e Verës. Teuta ka bërë një punë të jashtëzakonshme me të cilën krenohem çdo ditë.

KultPlus: ‘Vera Andrron Detin’ është filmi i parë nga Kosova i metrazhit të gjatë që mori pjesë në Festivalin e Venedikutit dhe duke marrë dy çmime në këtë festival prestigjioz, si e përshkruani gjithë këtë ekperiencë?

Kaltrina Krasniqi: Po, “Vera Andrron Detin” është filmi i parë i metrazhit të gjatë që ka garuar në festivalin e Venedikut. Dy çmimet e kritikëve ‘Edipo Re’ dhe “Authors under 40” me kanë nderuar tej mase. Prej premierës në shtator kanë kaluar vetëm tre muaj dhe filmi në ndërkohë ka qenë në rreth dymbëdhjetë festivale duke pranuar edhe dy cmime tjera, ‘Grand Prix’ në Tokyo International Film Festival dhe ‘Silver Alexander’ në Festivalin e Selanikut.
KultPlus: Çfarë feedback-u morët nga publiku atje?

Kaltrina Krasniqi: Pavarësisht se Vera vjen nga një kontekst specifik politik e kulturor, sfidat e saj janë universale, andaj gratë dhe grupet e tjera të margjinalizuara, nuk kanë vështirësi të identifikohen me këtë rrëfim. Gjatë muajit tetor dhe nëntor kam udhëtuar intensivisht me filmin dhe kam takuar audienca gjithandej, të cilat kanë treguar mbështetje dhe simpati pa rezervë për personazhen dhe filmin.

KultPlus: Në filmin ‘Vera andrron Detin’ keni bashkëpunuar më aktorë të njohur kosovarë, si e përshkruani punën me aktorin Astrit Kabashi?

Kaltrina Krasniqi: Astritin e njoh për rreth dy dekada dhe puna me të gjithnjë është shumë e këndshme. Astriti është aktor kërkues, gjithnjë ka pyetje inteligjente dhe zgjedhje të mira për personazhet e tij. Pastaj, ai u frikësohet përsëritjeve dhe si rezultat në gjitsecilin projekt që e kam parë në vitet e fundit ai shihet qartë duke e rizbuluar veten dhe fuqinë e tij prej performuesi.

KultPlus: Kosova po shënon suksese të mëdha me film sidomos në këto vitet e fundit, si e cilësoni ju këtë sukses të kinematografisë kosovare?

Kaltrina Krasniqi: Kosovës sa herë i është dhënë mundësia, në çfarëdo fushe, ka shkelqyer. Andaj nuk jam e befasuar, përkundrazi, pres edhe më shumë.

KultPlus: E dimë që tani po e shijoni rrugëtimin e filmit ‘Vera Andrron Detin’, por a jeni duke punuar në ndonjë projekt të ri?

Kaltrina Krasniqi: Doruntina Basha dhe unë jemi në zhvillim të skenarit për filmin e dytë “Zbardhje”. Në nëntor të këtij viti projekti ynë është shpërblyer si më i miri në Arras Film Festival/ Arras Days.

KultPlus: Si e vlerësoni ligjin e ri për kinematografinë e Kosovës e i cili është në shqyrtim?

Kaltrina Krasniqi: Kosova ka nevojë për një ligj të ri për kinematografi, një ligj i cili i përgjigjet sfidave me të cilat ballafaqohen kineastët në bërjen e punës së tyre të përditshme. Draft ligji aktual ka një qasje mjaft progresive, natyrisht i ka problemet e veta të cilat duhet te zgjidhen me dialogje dhe punë konstruktive ndërmjet MKRS-së dhe komunitetit. Ky është një sektor që po zhvillohet, pavarësisht prej mbështetjes apo sabotimeve. Andaj, shpresoj se këtë herë institucionet do të na qëndrojnë pranë për të na ndihmuar të krijojmë nje ambient komod të zhvillimit.

KultPlus: Kur pritet që filmi të shfaqet edhe në Kosovë dhe si i vlerësoni kinematë që janë aktualisht duke vepruar këtu?

Kaltrina Krasniqi: Filmi do të shfaqet në fund të janarit ose shkurt të vitit 2022, varësisht nga zhvillimet me covid-19. Sa i përket kinemave, kemi nevojë për një shtrirje më të gjerë të tyre dhe sidomos rikthimin e godinave që kanë shërbyer si kinema para luftes./KultPlus.com/supergrate.net/