Home>>Zëri i grave>>Perceptimet e çuditshme shqiptare mbi bukurinë femërore
Zëri i grave

Perceptimet e çuditshme shqiptare mbi bukurinë femërore

Nga Armanda Hysa

Perceptimet mbi bukurinë femërore janë shumë të çuditshme në Shqipëri. Pasojat e tyre mund të kenë shpesh efekte shkatërruese, ahhh, sa ashpërsi ka në këtë vendin tonë. Shpesh më duket sikur ne gjinia femërore që në lindje nisim një garë mbijetese: jetët tona futen në labirinthe ingranazhesh, që mund të të zënë nga momenti në moment, ku mund të lësh viktimë një këmbë a një dorë, një zemër a një xhan, e në shumë raste, vetë kokën. Bukuria është kontakti i parë me këto ingranazhe. Nëse të perceptojnë si të bukur, që në fëmijëri rojat meshkuj të familjes duhet të të bien pas. Këta roja janë të domozdoshëm nëse do që të mbijetosh, pasi mekanizmat e ingranazheve paragjykuese e epshore mashkullore, bashkuar me mekanizmat paragjykuese e xheloze femërore, mund të të bëjnë mijëra copash. Një vajzë apo grua që perceptohet si e bukur, paragjykohet potencialisht si bishtpërdredhur. Oh, mjerë ajo nëse ka sens humori, apo është e çiltër në biseda. Cdo buzëqeshje e saj, prej moshës 12 vjeç e në vazhdim, konsiderohet si sinjal për djemtë se “po ma luan”, “ia ka qejfi”, e ata me dëshirë futen në gara se cili do marri trofeun i pari. Nëse ajo nuk ka roje mjaftueshëm të kujdesshëm, ose largqoftë, bie në dashuri, ose në të vërtëtë ka thjeshtë dëshirë e tërheqje seksuale për dikë, që sigurisht nuk do të thotë se e ka për këdo, kthehet në një trofe dhe ka dy rrugë: ose të bëhet kurva e të gjithëve (me pretendimin madje se ça kishte filani më shumë se unë, pse me atë shkove e me mua nuk pranon), ose të tërhiqet në një stil jetese ku turpi do ta ndjekë nga pas e do ia vulosë vendimet e mëpastajme mbi bashkëshortin që i lejohet të zgjedhë.

Nëse vajzës apo gruas së bukur ende nuk ia ka zënë ingranazhi ndonjë pjesë të qënies, prit, se jeta është e gjatë. Duhet të kalosh provimet në universitet, duke i rezistuar presionit se “pa parë tavanin e dhomës sime të gjumit, nuk e merr diplomën”. Pastaj duhet të gjesh një punë, ku do të duhej të kesh vërtet fat që eprorët meshkuj ose të jenë “duduma”, gay apo impotentë. Zgjidhja tjetër është të martohesh sapo mbaron gjimnazin e të mos dalësh kurrë në punë. Jo se kështu shpëton paq, sepse do kesh të bësh me një kontroll total mbi jetën tënde, por të paktën bëhesh nënë dhe heq mendjen njëherë e mirë nga vetja, të paktën për disa vite. Të jesh e bukur, pra, në këtë vendin tonë, është mallkim.

Po të mos jesh e bukur? Ose të themi, të mos të të perceptojnë të tillë? Oh, atëherë të fusin në kategorinë e shpifsirës lëneshë që nuk ka me gjet kurrë burrë. E kush e merr një shëmtaraqe? Vetëm ndonjë burrë që ka kaluar hall të madh në jetë e mund të mbylli njërin sy. Vajza e shëmtuar në disa aspekte është më e lirë. Nuk ka aq nevojë për rojet mashkullorë të familjes, por kërkush nuk do të dijë se edhe ajo ka shpirt, ka ndjenja, ka dëshira mishtore. Vajza që nuk konsiderohet e bukur, do duhet të shohë sesi krejt djemt që ajo pëlqen gjatë jetës, në rastin më të mirë nuk do ia hedhin sytë e do shkojnë pas shoqeve të saj, e në rastin më të keq do buzëqeshin me tallje: “u bë kjo”. Vajza e shëmtuar do e ketë më të lehtë me ingranazhet e provimeve apo të shefave, pa i shpëtuar ingranazheve tallëse të grarisë. Por ajo kurrë nuk do ketë besim në vetvete, do jetojë e mbyllur, do vuajë e do mallkojë ditën kur lindi ashtu: e shëmtuar. Do i duket se më mirë të kishte lindur një copë tul, me fytyrë të bukur, sesa ashtu. Të jesh e shëmtuar, pra, në këtë vendin tonë, është mallkim.
. . .
Vetë më kanë perceptuar, e për pasojë kategorizuar, tek kategoria e dytë. Fytyrën e kam pasur normale, jo ndonjë bukuri e as ndonjë shëmti e veçantë (për sado subjektive qofshin këto vlerësime), por kam qenë me syze, e shkurtër dhe e imët. Që në klasë të parë, dita e parë e shkollës, kur dëgjova dialogun mes mësueses sime dhe një tjetre (ua po kjo e shkurtra këtu që është më e vogël se çanta, e sigurtë që ka mbushur moshën për shkollë? Shshsh është vajza e Fitnetes *mami ishte mesuese* Aaaa gjyna Fitneti ça e paska kët gocë si deng leshi të vockël), vetëbesimi dhe vetëvlerësimi fluturuan larg, e nuk ka pas ditë që nuk e kam kaluar me një ankth konstant, që mund të zvogëlohej nga gëzime të tjera të jetës, por që nuk zhdukej kurrë. Ai rritej e forcohej sa herë që në fiskulturë isha e parafundit, plus dhjetë herë në ditë rrugës kur më thërrisnin qorre. Po, të kishe syze në kohën e komunizmit, ishte po ashtu mallkim. Mbaj mend një komshies sime i shkoi numri – 15 dhe syzet i kishte të trasha si byth gavanozi vetëm pse e ëma e la t’i vinte pas moshës 25 vjeç, pasi u martua e gjeti burrë. Më parë ajo e shkreta rrëzohej e përplasej, për shkak të miopisë së theksuar, por më mirë të vdiste, sesa të mbetej pa burrë vetëm pse i duheshin syzet. Edhe një ekip i TVSH kur erdhi të xhironte një emision për fëmijë me klasën time, nga fundi i klasës së dytë, nuk pranoi të më jepte pjesë. Regjisori këmbënguli se isha e shkurtër e me syze e as që duhej të dukesha. Mezi këmbënguli zysh Katerina, që të dukesha në nja dy momente, meqë isha goca e mësueses së asaj shkolle.

Kështu kaluan ditët e vitet, ku edhe me mua ndodhte e njëjta gjë si me tërë “vajzat e shëmtuara” gjatë adoleshencës dhe rinisë, pra unë të pëlqej ty, por ti sigurisht pëlqen filan shoqe timen. Kur shoh pas në kohë ça ibretësh më kan pas pëlqyer, mendoj se më ka ruajtur Zoti me thënë të drejtën, megjithatë atëherë nuk e dija. Megjithatë besimi fetar m’i lehtësonte goxha komplekset. Aldo mund të qeshi tani, por edhe ai “zgjuarsinë” pëlqeu te unë e jo bukurinë 🙂. Dhe unë pëlqeva faktin që ekzistonte në këtë botë dikush që i jepte më shumë përparësi të parës.

Këto të gjitha deri në nëntor të vitit 2005, kur për herë të parë shkova në Ankara (ishte hera e dytë që udhëtoja jasht). Merrja pjesë në Kongresin “Ndikimi i kulturës turke në kulturat botërore”. Kongresi zhvillohej në Shtëpinë e Mësuesve, që ishte një hotel shumë i madh me mbi dhjetë salla konferencash e me aq dhoma gjumi sa të strehonin qindra pjesëmarrës. Veshja dhe makiazhi im ishin krejt normale. Vetullat nuk i kam pas heq atë kohë (se haram de 😛 ). Ditën e parë vura re të ktheheshin shumë koka pasi kaloja unë, si gra ashtu edhe burra. Mendova se mos, largqoftë, kisha harruar zbërthyer zinxhirin e pantallonave, ose, si hutaqe që jam, mos më ishte derdhur gjella nepër rroba. Jo, asgjë nga këto. Gjatë një mbrëmjeje një profesor i historisë së Perandorisë Osmane në Jordani, m’u afrua dhe bëri çmos të bisedonim. Ishte turk. Më tha se i pëlqente të flisnim për shkak se i bënte përshtypje anglishtja ime e rrjedhshme. Pastaj dolëm te temat përkatëse, dhe biseda realisht ishte e një niveli që nuk do ta harroja kollaj. Pasi u familjarizuam mjaftueshëm, e pyeta: – Kam vënë re se këto dy ditë shpesh njerëzit kthejnë kokat të vazhdojnë të më shohin pasi kaloj unë. Çfarë kam ndonjë gjë, pse po ndodh kjo, se nuk më duket që paraqitja ime nuk është e rregullt.

Nuk e harroj sa ka qeshur dhe që tha:
– But you are a very beautiful woman, and your eyes are stunning. They are beautiful, and your look is deep, mysterious, calm, and full of goodness. You must be Muslim.
– Indeed I am, – iu përgjigja duke u skuqur më keq se hekuri në prush. E falënderova dhe renda drejt miqve nga Maqedonia. Pyeta Kleanthin, i thashë, dëgjo, e di që është budallik, po ti si grua dhe si jo-shqiptare që je, mendon se unë kam ndonjëfarë pamjeje? Ajo qeshi me të madhe dhe tha të njëjtat fjalë si profesori turk, por pa pjesën e syve të mi myslymanë. Një vit më vonë kolegët bullgarë do qeshnin njësoj kur i tregova se për shoqërinë shqiptare unë isha e shëmtuar. Më thanë të mos e zmadhoja kaq dhe që në të kundërt, isha e bukur, madje, për Margaritën dhe Petkon isha tepër, dhe isha konfirmim i stereotipit pozitiv se gratë shqiptare janë të bukura.
M’u deshën rreth dy vite pas bisedës në Ankara që të hiqja fiksimet, ankthet, hijet e dyshimit, e të lulëzoja. Në fakt hedhja tek e tyre ishte një çlirim i një personaliteti të ndrydhur, dhe një shpërthim i jashtëzakonshëm talenti akademik.

Ingranazhet e shoqërisë sonë vrasin, shtrëmbërojnë e ndrydhin jetë njerëzish bazuar vetëm te paraqitja: një gjë kaq e jashtme e sipërfaqësore ta zë në çark gjithë qënien. Ndaj çdo vajze do i thoja të mos lejojë asnjë ingranazh t’ia shtypë bukurinë brenda vetes, kurrë, në asnjë moment. Sepse nuk ka njeri që nuk është i bukur e i shëmtuar njëherazi, por nëse humb besimin, e bukura brenda dhe jashtë teje do mbyllet si xhindi në një llampë. Në radhë të parë nuk do e shijosh ti vetë, e do vuash edhe talljet e nëpërkëmbjet. Ndërsa ti vendos se je e bukur sido që të jesh, do rrezatosh në një mënyrë që edhe më ciniku e dashakeqi do trembet. Me besu në vetvete dhe në bukuritë që ti ke, është me e dasht Zotin. E kur ti e don Zotin veç pak, ai të do veç shumë./supergrate.net/